Shqipëria heq dorë nga Çamëria

Shqipëria heq dorë nga Çamëria

Shqipëria heq dorë nga ÇamëriaÇështja e toponimeve, e cila është bërë pengesë për lëvizjen e qindra mijë emigrantëve shqiptarë vijon të mbetet në udhëkryq.

Zgjidhja e këtij ngërçi po sheh më tepër si zgjidhje me përdorimin e konventave ndërkombëtare. Dy ministrat e Jashtëm, ai shqiptar, Ditmir Bushati, dhe ai grek Evengelos Venizelos, në takimin e djeshëm në Tiranë shprehën vullnetin për zgjidhjen e problemit të toponimeve mbi bazën e konventave ndërkombëtare.

Zbatimi i kësaj konvente mund të sjellë heqjen e emrave të fshatrave shqiptarë të krahinës së Çamërisë, pasi Greqia, nga ana e saj, nuk do të pranojë që të përfshijë më emrat e këtyre fshatrave, emrat e të cilëve janë tjetërsuar prej më shumë se gjysmë shekulli. Tirana zyrtare u shpreh nëpërmjet ministrit të Jashtëm, se çështja nuk duhet trajtuar si politike, pra që nënkupton “një heqje dore”.

“Kemi gjetur gjuhën e përbashkët në parim, për të konsideruar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje, e cila për sa na takon do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë, duke respektuar në këtë mënyrë të drejtën ndërkombëtare, integritetin territorial, parimet e fqinjësisë së mirë dhe natyrisht duke i shërbyer qytetarëve, të cilët do të korrin benefite nga ky mirëkuptim mes dy qeverive, i cili do të përkthehet natyrisht në nivelin teknik nga një marrëveshje më e qartë e më e detajuar”, deklaroi Bushati, pas takimit me homologun e tij.

Ndërsa kryediplomati grek ka qenë pothuajse në të njëjtën linjë, duke deklaruar në konferencën për shtyp se “siç e tha dhe zoti Bushati, kemi bërë një përgatitje shumë thelbësore dhe praktike, e cila na lejon të lëvizim shpejt, të japim zgjidhje përfundimtare dhe të shpejta të çështjeve të mbetura të pazgjidhura, duke pasur si bosht kryesor ku të mbështesim respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që janë gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e së drejtës ndërkombëtare, por edhe statuskuosë.

Në këtë kuadër do të punojmë që të dyja palët, në mënyrë shumë të shpejtë dhe bashkëpunuese, por edhe produktive, që të mirëpërdorim në shkallën më të lartë të mundshme traktatin e fqinjësisë së mirë që është në fuqi”. Nga ana tjetër Venizelos nuk harroi të paralajmëronte Tiranën zyrtare për këtë çështje sensitive.

“Ne do të aktivizojmë komisione të përbashkëta në sektorë të ndryshëm, që kanë rëndësi të madhe politike dhe ekonomike e sigurisht që do t’u japim zgjidhje problemeve për t’u dhënë njerëzve mundësinë e lëvizjes së lirë. Dhe me kënaqësi vura re deklaratën e zotit Bushati, që një çështje si ajo e toponimeve nuk ka dimension politik, pra asnjë paragjykim, por ka gjithmonë një respekt absolut të plotë për sa i përket sovranitetit territorial dhe marrëdhënieve dypalëshe të fqinjësisë së mirë”, vijoi numri dy i qeverisë greke. Ndërkohë që edhe pse është ranë dakord për zgjidhje, grupi i përbashkët i ekspertëve për këtë çështje akute nuk është ngritur. Për çështjen e toponimeve ka pasur kohë më parë edhe një qëndrim të prerë nga Avokati i Popullit, Igli Totozani. Ai ka kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi, që cenon qindra mijë shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Greqi. “Nëse ishin ndërmarrë tashmë hapa konkrete për standardizimin e emrave gjeografikë shqiptarë në dokumentet e udhëtimit të shtetasve tanë, duke u bazuar edhe në

Udhërrëfyesit e Toponimeve të UNGEGN (United Nations Group of Experts

on Geographical Names), nëse ishin ngritur tashmë autoritete kombëtare për standardizimin e përdorimit të emrave tanë gjeografikë në dokumentet zyrtare, cilat ishin procedurat që po ndiqeshin për përdorimin e rregullt dhe të gjithanshëm të të gjitha shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe në dokumentet e udhëtimit të shtetasve shqiptarë, të lëshuara nga firma e kontraktuar nga shteti shqiptar, si dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me këtë çështje, duke synuar në sqarimin sa më të shpejtë dhe përfundimtar të problematikës së parashtruar nga ankuesit”, thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit të disa kohëve më parë.

Pakti detar

Dy drejtuesit e diplomacisë kanë dhënë deklaratat e tyre edhe në lidhje me shelfin detar. Venizelos theksoi se e drejta ndërkombëtare duhet të mbizotërojë edhe për Paktin Detar. “Dhe sigurisht që e drejta ndërkombëtare është ajo që do të na japë një zgjidhje të shpejtë, të plotë dhe të zbatueshme, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fqinjësinë e dy vendeve tona, edhe për sa i përket anës tokësore dhe asaj detare”, nënvizoi Venizelos.

Vizitën në Tiranë, ministri i Jashtëm grek e cilësoi si pikën kulmore të turit të tij në gjashtë kryeqytete të Ballkanit, duke renditur në to edhe Prishtinën, pavarësisht se Greqia nuk e ka njohur Kosovën si shtet, ndërsa theksoi më shumë se një herë partneritetin strategjik të Greqisë me Shqipërinë./gazeta-shqip/