Shqipëri – Serbi, një ndeshje e nxehtë futbolli

Shqipëri – Serbi, një ndeshje e nxehtë futbolli

Shqipëri – Serbi, një ndeshje e nxehtë futbolli I pari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se qysh tash e imagjinon një ndeshje të nxehtë futbolli me Serbinë. Ai uron që të mos bëhet “luftë”.

“Kemi të bëjmë vetëm me një ndeshje dhe vetëm si të tillë duhet ta konsiderojmë. I kuptoj ndjesitë tona karshi kësaj skuadre dhe besoj se aty nuk do të na duhet motivim pasi e kemi me tepri”, ka thënë Duka.

“Ndeshje me rrezikshmëri të lartë” është konsideruar edhe në Serbi ajo me Shqipërinë.

Drejtues të Federatës së Futbollit të Serbisë kanë thënë se e kanë përvojën e organizimit të ndeshjeve të tilla.

“E fundit ishte kundër Kroacisë. Jemi mësuar që ndeshjet tona të marrin edhe konotacion tjetër pos atij sportiv. Ne bisedën e parë joformale me delegacionin e Shqipërisë, kemi mësuar që ata ndoshta do të presin përfaqësuesen tonë jashtë Tiranës”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Zoran Lakoviq.

Ushtruesi i detyrës së përzgjedhësit të Serbisë, Lubinko Druloviq, ka thënë se nuk do të jetë e lehtë të fitohet kundër Shqipërisë.

“E kam përcjellë Portugalinë në njërën nga ciklet e kaluara kur mezi fitoi në Tiranë, me gol në minutën e 90-të”, ka thënë ai./Koha Ditore/