Shqipëri-Maqedoni, së bashku kundër krimit dhe terrorizmit

Shqipëri-Maqedoni, së bashku kundër krimit dhe terrorizmit

Shqipëri-Maqedoni, së bashku kundër krimit dhe terrorizmitLufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikut do të jenë fushat kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Ky lajm u bë i ditur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili priti sot në takim homologen e tij maqedonase Gordana Jankulovska, gjatë një vizite të saj në Tiranë.

Gjatë takimit të dy homologët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim institucional për të luftuar trafiqet e paligjshme, krimin dhe terrorizmin.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e konsideroi një sfidë të përbashkët luftën ndaj trafiqeve dhe terrorizmit jo vetëm si një prioritet kryesor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por edhe si një sfidë rajonale.

“Shkëmbyem mendime të përbashkëta për krimin, luftën kundër trafiqeve dhe terrorizmit, duke e konsideruar bashkëpunimin ndërinstitucional mes dy vendeve tona si element thelbësor për rezultate të përbashkëta në kuadër të sfidave që kemi jo vetëm në integrimin Evropian por edhe për rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve kundër lëndëve narkotike, por edhe kundër terrorizmit fetar dhe etnik. Një sfidë e cila është rajonale dhe globale”, u shpreh Tahiri.

Edhe ministrja e Brendshme e Maqedonisë e vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

“Masat konkrete dhe iniciativat që dolën nga ky takim i sotëm: do ngrihen grupe në nivel rajonal që do të ketë shkëmbim informacioni që do luftojë krimin e organizuar. Para pak kohësh në Republikën e Maqedonisë u bënë ndryshime në kodin penal për ata që marrin pjesë në grupet terroriste dhe besoj se me këtë kod penal do të parandalohen këto raste penale për t’u përballur me luftën kundër terrorizmit”.

Të dy ministrat nënshkruan protokollin, i cili përfshin bashkëpunimin policor me krijimin e patrullave të përbashkëta për marrjen e masave gjatë sezonit veror, duke marrë si shembull suksesin e Shqipërisë në këtë fushë. me shtetin e Kosovës.

“Nënshkruam protokollin e bashkëpunimit, protokoll i cili përfshin bashkëpunimin policor në periudhën e sezonit turistik, duke bërë që të ndërtohen patrulla të përbashkëta në akset rrugore. Është një praktike e suksesshme me Kosovën dhe si e tillë do të ndihmojë edhe në marrjen e masave për sezonin turistik duke përballuar fluksin nga Maqedonia. Protokolli do të jetë i vlefshëm sezonin veror që vjen”.