oil price

Shqetësimet rreth ngritjes ekonomike ulin çmimet e naftës

Çmimet e naftës së papërpunuar të mërkurën kanë shënuar rënie, pasi që agjencia Moody’s ka dhënë prognozë negative për rejtingun e SHBA-ve, duke shtuar shqetësimet nga rënia e mundshme e kërkesave, pasi që ekonomia më e madhe botërore pritet të ballafaqohet me vështirësi ekonomike dhe fiskale.

Në tregun e Londrës një barel i naftës së papërpunuar është liruar për 81 centë, në 115,65 dollarë, ose 12 dollarë nën shkallën më të lartë të këtij viti që ishte 127 dollarë. Njëkohësisht në tregun amerikan çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë për 44 centë, në 93,35 dollarë për barel.

Ngritja e shqetësimeve ka ardhur për shkak se ekonomia më e madhe botërore mund të rrëshqasë në recesion, ndërkohë që në Evropë po thellohet kriza e borxhit.

Ekspertët thonë se ngritja e limiti të borxhit amerikan mund të ndihmojë vetëm në mundësimin e pagesave të detyrimeve financiare të SHBA-ve, përderisa deficiti do të vazhdojë të mbetet problem i madh.

Instituti amerikan i naftës dje ka njoftuar se rezervat e benzinës në SHBA janë ngritur për 2,5 milionë barelë, ndërsa rezervat e distilimit janë rritur për 1,4 milionë barel. Rezervat e naftës së papërpunuar në SHBA javën e kaluar papritmas kanë rënë për 3,3 milionë barel.

Organizata e vendeve eksportuese të naftës (OPEC) ka bërë të ditur ndërkohë se çmimi i një bareli naftë në rafineritë e saja të martën ka shënuar rënie për 1,72 dollarë në raport me një ditë më herët dhe tash kushton 111,85 dollarë për barel.