f1_shpronsimet1335948524

Shpronësimet e vonuar lanë rrugët të pakryera

Mbi 100 milionë euro janë investuar vetëm në rrugën që lidh Prishtinën me Pejën, që kalon nëpër Fushë-Kosovë dhe pranë Aeroportit.

Punimet në këtë segment të ndarë pjesë-pjesë kanë nisur që më 2008, derisa ende nuk kanë përfunduar në tërësi. Në verë të vitit 2009 janë kontraktuar tri kompani për zgjerimin e rrugës që çon nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës, deri tek udhëkryqi në Milloshevë, ndërsa punimet ende nuk janë kryer në tërësi.

Për këtë projekt ministria ka ndarë mbi 15 milionë euro. Punimet në këto dy rrugë nacionale kanë pasur të njëjtin problem. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, problemi kyç ka qëndruar te shpronësimet. Ky problem sipas Departamentit të Shpronësimeve në Ministrinë e Ambientit tashmë është zgjidhur. Pas këtyre procedurave të kryera për procesin e shpronësimit, Ministria e Infrastrukturës shpreson se punimet në dy rrugët nacionale të vazhdojnë drejt përfundimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Edhe më herët është marrë vendimi, mirëpo problemet kadastrale kanë nxjerrë telashe. Tani janë identifikuar pronarët dhe mbi këto fakte janë përgatitur elaborate të reja të shpronësimit. Kjo i hap rrugë ndërtimit të rrugës dhe përmbyll telashet me pronat e banorëve”, thotë Lah Nitaj, këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas tij, këtë vit, punimet ende nuk kanë filluar për shkak të motit me reshje të shumta.

“Nuk është blloku procesi. Nuk është punuar për shkak të reshjeve. Drejtori i rrugëve me një letër ka ftuar kompanitë që të mobilizohen dhe të fillojnë punët aty ku kanë mbetur vitin e kaluar. Probleme ka pasur me shpronësime. Stafi i Ministrisë, ka realizuar një takim me të gjithë aktorët, Ministrinë e Infrastrukturës, të Ambientit, të Financave, kompanitë që përgatisin shpronësimin dhe kompanitë që vlerësojnë pronat”, thotë Nitaj.

Sipas tij, problemet kadastrale që ka Kosova janë shumë të mëdha, dhe këto kanë nxjerrë probleme.

“Qytetarët kanë gjetur mënyra të ndryshme për të nxjerrë dokumente. Kjo i hap rrugë realizimit sipas planit të punimeve, dhe objektivi i Ministrisë dhe Qeverisë për 2012-n është që rruga nga rrethrrotullimi deri në Milloshevë të kryhet në tërësi”, thotë Nitaj.

Qeveria, sipas propozimit të Departamentit të Shpronësimit, në fund të muajt mars ka nxjerrë vendimin përfundimtar me të cilin miratohen shpronësimet për  rrugën M-9 (Fushë-Kosovë-Arllat-Gjurgjicë), përkatësisht zonat kadastrale Fushë-Kosvë, Vragoli, Sllatinë e Madhe, Sllatinë e Vogël, Korroticë e Epërme, Komoran, Arllat, Llapushnik dhe rrugën M-2 (Prishtinë-Mitrovicë, segmenti Prishtinë-Milloshevë), zonat kadastrale Shkabaj, Obiliq, Mazgit, Llazarevë dhe Milloshevë.

“Pas miratimit të këtij vendimi, Departamenti i Shpronësimit bazuar në  Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, i ka dërguar vendimin përfundimtar secilit person të identifikuar në tabelat bashkangjitur vendimit. Pas pranimit të vendimit, personat e identifikuar në vendim kanë filluar të aplikojnë për kompensim dhe pagesat e kompensimit janë duke shkuar sipas afatit”, thotë Servet Spahiu, drejtor i Departamentit të Shpronësimeve.