beer

Shpenzoi një mijë funta për një birrë

Një gjerman shpenzoi deri më tash një mijë funta në kërkim të një njeriu të cilit ia ka borxh një birrë.

Sebastian Sterinzen kishte humbur bastin me një burrë të cilin e njeh vetëm me emrin Patrick, derisa po luanin golf në Majorka para pesë vitesh. Ka vite që ai mendon se Patrickut duhet t’ia kthejë borxhin, ndërsa tash është nisur në kërkim të tij.

Sebastian udhëtoi në Somersetin verior, pasi aty është edhe vendlindja e Patrickut. Ai vizitoi klubet e golfit dhe pubet dhe ka pyetur shumë njerëz për të, por ende nuk ka pasur fat ta gjejë.

“Ia kam borxh një birrë. Kjo është arsyeja e vetme pse jam këtu. Kjo po më mundon me vite. Jam njeri që nuk kam dëshirë t’i mbesë borxh askujt. Kam udhëtuar 1300 kilometra për ta gjetur dhe nëse arrij nuk do jem pishman për asnjë cent që kam harxhuar”, ka thënë mësuesi 34 vjeçar.