Shpend Ahmeti, kandidat i VV për Prishtinën

Shpend Ahmeti, kandidat i VV për Prishtinën

Shpend Ahmeti, kandidat i VV për PrishtinënNënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës së Prishtinës. Ky vendim ka dalë nga votimi që kanë bërë anëtarët e Qendrës së Vetëvendosjes në kryeqytet, të cilët kanë vendosur që njëri nga figurat kyçe të Vetëvendosjes, Ahmeti, t’i sfidojë kandidatët e partive konkurrente.

Ahmeti, që kaherë është përfolur si kandidat i mundshëm për kryetar të Prishtinës, edhe zyrtarisht e ka marrë për të garuar për kryetar të kryeqytetit.
“Të enjten është vendosur për Shpend Ahmetin. Nuk ka pasur kundërkandidat, është votuar për apo kundër, për Shpendin kanë qenë shumica absolute, votat kundër mund të numërohen në gishtat e njërës dorë”, ka thënë shkurt burimi i gazetës.

Në fakt, sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje, secila qendër e kësaj lëvizjeje që vepron në kuadër të një komune, përkatësisht, elektorati dhe anëtarët e saj me shumicë votash vendosin se kush do të jetë kandidati për kryetar të komunës përkatëse, dhe këtë vendim nuk e marrin organet qendrore të Lëvizjes.

Gazeta është përpjekur të premten që këtë informatë ta konfirmojë nga vetë drejtuesit e Vetëvendosjes, por askush nuk ka qenë në gjendje që ta pohojë ose mohojë atë.

“Nuk mund të japim detaje dhe as ta komentojmë këtë. Kandidati do të zyrtarizohet nesër (sot, e shtunë) në ora 14:00. Kjo është e vetmja që mund ta them tash për tash”, ka qenë i prerë nëpërmjet telefonit Erzen Vraniqi nga Vetëvendosje.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, sipas analistëve politikë, sivjet gara për kryetar të Komunës së Prishtinës do të jetë më e ashpër dhe më interesante, pikërisht për shkak të faktorizimit dhe fuqizimit të Lëvizjes që drejtohet nga Albin Kurti.

Pritet që kandidati i Vetëvendosjes së paku të shkojë në balotazh me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila tradicionalisht e ka drejtuar komunën e Prishtinës tash e trembëdhjetë vjet.