Shpallet në kërkim shefi i rremë i Interpolit

Shpallet në kërkim shefi i rremë i Interpolit

Prokuroria e Tiranës shpall në kërkim “drejtorin” e rremë të Interpolit Ndërkombëtar. Arben B, dyshohet se ka bashkëpunuar me të akuzuarit, Fatmir Flaga dhe Adriana Ura, për të mashtruar dhjetëra persona, duke u premtuar vende pune si agjentë të fshehtë të Interpolit Ndërkombëtar.

Lajmi bëhet i ditur per Gazeta Shqiptare nga burime pranë organit të akuzës, ku prej më shumë se një muaji prokurori Julian Zonja, po heton për të zbardhur skemën e mashtrimit, të kryer në një mënyrë mjaft të sofistikuar dhe nën “hundën” e autoriteteve.

Sipas hetuesve, Arben B, (emri nuk jepet i plotë për arsye hetimore) i cili hiqej si drejtor i Interpolit Ndërkombëtar, me ndihmën e Flagës dhe Urës, kishin bërë pjesë të organizatës fiktive të paktën 80 persona. Arben B. “punësonte” njerëz duke i kërkuar 2 mijë euro.

Më vonë, Arben B, është “zhdukur” nga skema dhe në vend të tij është emëruar si drejtoreshë e kësaj strukture, Adriana Ura, e cila kishte firmosur me dorën e saj dhjetëra karta false me logon e Interpolit. Veprimtarinë kriminale të akuzuarit e kishin nisur që prej muajit nëntor 2009. Më 25 shkurt 2010 në Kukës, u prangos Ylli A., i cili kishte paraqitur një dokument të falsifikuar me logon e Interpolit dhe ishte prezantuar si zëvendësdrejtor i Interpolit Ndërkombëtar Tiranë, me drejtoreshë Adriana Urën. Ai ka shpjeguar më pas se dokumenti i ishte dhënë nga e pandehura Ura, në zyrën e saj në zemër të Tiranës. Pas prangosjes së Ylli A, “vërshuan” dhe denoncimet ndaj Urës dhe bashkëpunëtorëve të saj, duke u zbardhur në këtë mënyrë dhe skema e mashtrimit.

Ndërkaq, në kërkim është shpallur Arben B. Prokuroria veç të tjerash ka sekuestruar dhe listën me emrat e personave që kishin aplikuar gjoja për t’u punësuar si agjentë të Interpolit, që ishte mbajtur shënim nga të akuzuarit. Prokuroria gjithashtu ka arritur të vërtetojë dhe shumat që dy të pandehurit kanë përfituar nga secili prej personave të mashtruar. /BalkanWeb/