Shkupi nuk mban shpresa tek Brukseli

Shkupi nuk mban shpresa tek Brukseli

Belgjika prej dje ka filluar kryesimin gjashtë mujor me presidencën e Bashkimit Evropian (BE). Shpresat janë të pakta për të pritur nga ky vend avancimin e procesit të zgjidhjes së kontestit të emrit dhe dhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Në programin e presidencës gjashtëmujore të shpalosur nga Belgjika theksohet se ajo do të angazhohet në arritjen e kompromisit në Këshillin e BE-së për të filluar negociatat për anëtarësim me Maqedoninë.

Me këtë rast inkurajohet Shkupit zyrtar dhe partitë politike që të gjejnë zgjidhjen e kompromisit për emrin me palën greke.

Në programin e shpalosur nga Qeveria e Brukselit, e cila mori kryesimin nga Spanja, theksohet përkushtimi për vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE-së, por theksohet se arritjet dhe procesi i ofrimit drejt BE-së varet nga shpejtësia dhe përpjekjet e vendeve që synojnë anëtarësimin.

Belgjika ka marrë kryesimin në një periudhë kur po përjeton një krizë të brendshme politike midis partive të komuniteteve flamane dhe valone, e cila ka shkaktuar edhe krizë qeveritare. Kryeministri Iv de Leterme është në dorëheqje deri në zgjidhjen e krizës dhe formimin e Qeverisë. Ai në këtë detyrë po kryeson edhe me presidencën e BE-së.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka theksuar se të martën do të udhëtojë në Bruksel ku do të takohet me homologun e tij Leterme. Ai ka theksuar se shteti do të punojë në realizimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me reformat dhe kushtet e tjera të parapara gjatë presidencës belge, mirëpo potencoi se problemi i emrit ngelet një problematikë e theksuar, për shkak të pozicionit dhe bllokadës greke.