Shkupi festë për pavarësinë e Kosovës
Në Maqedoni, lëvizja “ZGJOHU!” me rastin e dy vjetorit të pavarësisë edhe këtë vit do të organizojë një akademi solemne të titulluar, “Dita e Plisit”, ndërkaq për këtë festë nën patronazhin e komunës së Çairit do të organizohet një koncert i madh në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Me rastin e dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të organizojmë një akademi solemne që quhet Dita e Plisit në Teatrin Shqiptarë në Shkup, ku do të ketë një program të jashtëzakonshëm nga artistë dhe fytyra të njohura shqiptare.
Si mysafir nderi në këtë manifestim do të jetë ish- komandanti i UÇK-së dhe përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, Artan Grubi, duke shtuar se janë të ftuar partitë politike, kori diplomatik dhe mediat.
Organizata “Ilirycum Libertas” ka theksuar se në bashkëpunim me një numër të artistëve shqiptarëpër nder të kësaj feste do të organizojë një ekspozitë me fotografi. “Me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës 17 shkurt , në bashkëpunim me një numër të artistëve shqiptar, posaçërisht fotografëve shqiptarë, do ta organizojmë një ekspozitë me fotografi, që në një mënyre ose me tjetrën simbolizojnë një datë të rëndësishme të historisë më të re të kombit”, ka theksuar kryetari i “Illyricum Libertas”, Valon Kurtishi. /INA/