Shkup, LSDM do lërë mandatet

Shkup, LSDM do lërë mandatet

Shkup, LSDM do lërë mandatetOpozita maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, po shqyrton të gjitha format për të realizuar kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pas refuzimit të kësaj kërkese nga kryeministri Nikolla Gruevski, opozita po mendon që t’ia kthejë Parlamentit të gjitha mandatet e 42 deputetëve të saj. Me këtë veprim, drejtuesit e opozitës shprehen të bindur se pushtetit do të jetë i dëtyruar të shpallë zgjedhje të parakohshme, pasi do të bllokohej puna e Parlamentit.

“Të jeni të bindur se nëse nuk do të gjendet zgjidhje për dalje nga kriza, ky skenar do të realizohet”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Andrej Petrov.

Por, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, as me këtë skenar opozita nuk mund ta realizojë qëllimin e saj. Drejtuesit e KSHZ-së në Shkup sqarojnë se në këtë rast Parlamenti do të shpallë zgjedhje vetëm për aq deputet sa kanë kthyer mandatet dhe se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme parlamentare.

Ndërkohë, opozita po vijon të bllokojë rrugët. Për ditën e diel është paralajmëruar një protestë para Ministrisë së Punëve të Brendëshme.

“Të dielën marshi jonë protestues që nis në ora 12, do të ndalojë tek Ministria e Punëve të Brendëshme. Do të protestojmë në vendin e vërtetë, para institucionit që lejoi të keqpërdoret nga partia në pushtet në vend që të punojë për qytetarët. Ftojmë pëkrahësit tanë të na bashkangjiten, që t’i tregojmë kësaj qeverie se Maqedonia duhet të jetë shtet demokratik”, tha Petrov.

Në tentim për të zhbllokuar krizën politike mes pushtetit dhe opozitës maqedonase janë angazhuar edhe zyrtarët e lartë europianë, por përpjekjet e tyre deri tani nuk kanë dhënë rezultate.