f.1030201712357_m

Shkup, arrestohen 13 të dyshuar për fshehje tatimesh

Policia e Maqedonisë ka arrestuar 13 veta të përfshirë në fshehjen e tatimit dhe përfshirje në krim të organizuar.

Grupi i ndaluar është dërguar sot para gjykatës, për shkak se ai akuzohet që përmes faturave të rrejshme kanë arritur që të përfitojnë në mënyrë të paligjshme 2,3 milionë euro. Ata në mënyrë të organizuar duke përpiluar fatura të rrejshme kanë fshehur tatimin. Në këtë grup janë ndaluar edhe katër shtetas bullgar, transmeton INA.

Policia ka zbuluar se ata fillimisht kishin hapur kompani private dhe më pas kanë përgatitur fatura me të dhëna të rrejshme për t`iu shmangur pagesës së TVSH-së, tatimit personal dhe tatimit të fitimit.

Si udhëheqës i këtij grupi është pronari i një restoranti të njohur “Violina e vjetër” në Shkup, G.D, 43 vjeç. Ai edhe më parë ka qenë i dënuar për vepra tjera për armëmbajtje pa leje.

Krimi i organizuar me faturat e rrejshme është realizuar gjatë vitit 2010 dhe 2011. Grupi i ndaluar në të njëjtën mënyrë dyshohet se ka funksionuar edhe në Bullgari.