Shkrirja e Arktikut zbulon thesaret e fshehura

Shkrirja e Arktikut zbulon thesaret e fshehura

Ndërsa akulli i Arktikut po shkrin me shpejtësi rekord, superfuqitë e botës janë duke luftuar gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën për ndikim politik në një zonë të depopulluar të botës të quajtur Groenlandë, një ishull i stërmadh i ngrirë, me vetëm 50 mijë banorë.

Kryeqyteti i Groenlandës quhet Nuuk, një qytezë me më pak se 20 mijë banorë. Ajo ka pak fshatra të vegjël peshkatarësh. Por nga këtu nis beteja për kontrollimin e rezervave të stërmëdha të naftës, gazit dhe mineraleve, të cilat, falë ndryshimit botëror të klimës, po bëhen të shfrytëzueshme gjithnjë e më shumë.

Në të njëjtën kohë, një rrugë më e shkurtër detare mbi Rusi po bëhet e lundrueshme.

Këtë vit, Kina është bërë një lojtar shumë më agresiv në këtë fushë të ngrirë, thonë ekspertët, gjë që ka shkaktuar alarm mes fuqive Perëndimore.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe shumë kombe të tjera të Bashkimit Europian, kanë territor në Arktik, Kina nuk e ka, e për rrjedhojë ka filluar të vendosë pasuritë e veta dhe fuqinë diplomatike për të siguruar pika mbështetjeje në rajon.

“Arktiku është rritur me shpejtësi në rëndësinë që ka marrë në politikën e jashtme të Kinës gjatë dy viteve të fundit”, thotë Linda Jakobson, drejtoreshë e programit të Azisë Lindore në Institutin për Politikë Ndërkombëtare të Australisë. Aktualisht, sipas saj, kinezët po eksplorojnë mundësitë se si “mund të përzihen në politikën e kësaj pjese të botës.”

Në gusht, Kina dërgoi anijen e saj të parë përmes Arktikut në Europë dhe po lobon intensivisht për të marrë statusin e vëzhguesit të përhershëm në Këshillin e Arktikut, një organizëm jo shumë aktiv ndërkombëtar, ku marrin pjesë tetë kombe që kanë dalje në Arktik dhe që zhvillojnë politika për rajonin. Kina argumenton se është një vend “pothuajse arktik” dhe deklaron se Arktiku është “një pasuri e trashëguar nga i gjithë njerëzimi”.

Për të promovuar kërkesën e marrjes pjesë në takimet e Këshillit, si dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me kombet e Arktikut, ministrat kinezë vizituan këtë verë Danimarkën, Suedinë dhe Islandën, duke ofruar në këmbim marrëveshje tregtare shumë joshëse.

Diplomatë të nivelit të lartë kanë vizituar edhe Groenlandën, ku kompanitë kineze po investojnë masivisht për të zhvilluar një industri minerare, me propozime për të dërguar atje edhe punëtorë nga Kina për punët ndërtimore.

Kombet perëndimore janë shfaqur gjithnjë e më të shqetësuar mbi uverturat kineze në këtë ishull të varfër dhe shumë pak të populluar, një shtet i vetëqeverisur brenda Mbretërisë së Danimarkës, për shkak se tkurrja e akullit, që historikisht ka mbuluar ishullin, ka zbuluar depozita të shumta mineralesh, përfshirë ato të dheut të rrallë, të cilat janë me rëndësi vendimtare në prodhimet e teknologjisë moderne, si aparatet celularë apo sistemet ushtarake të drejtimit.

Një zëvendëspresident i Bashkimit Europian, Antonio Tajani, shkoi me nxitim në Groenlandë në qershor dhe premtoi qindra milionë euro në ndihma zhvillimi, me kushtin që Groenlanda të mos lëshojë të drejta ekskluzive për Kinën për përdorimin e burimeve minerare të dheut të rrallë. Udhëtimi u mbiquajt “diplomacia e mineraleve bazë”.

Groenlanda është pranë Amerikës së Veriut dhe është shtëpi për bazën më veriore të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bazës së Tulës. Në një konferencë, muajin e kaluar, Thomas R. Nides, zëvendëssekretari i Shtetit për menaxhimin dhe burimet, tha se Arktiku po bëhet një “kufi i ri në politikën tonë të jashtme”.

Gjatë 18 muajve të fundit, sekretarja e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, dhe Presidenti Lee Myung-bak i Koresë së Jugut, kanë bërë vizita për herë të parë në Groenlandë, ndërsa Kryeministri i këtij ishulli u prit në takim nga presidenti i Komisionit Europian në Bruksel, José Manuel Barroso.

“Ne po trajtohemi kaq ndryshe në krahasim me vetëm pak vite më parë”, thotë Jens B. Frederiksen, zëvendëskryeministër i Groenlandës. “E kemi të qartë se ky ndryshim sjelljeje ka ardhur si pasojë e faktit se kemi diçka për të ofruar dhe jo për shkak se dikush ka zbuluar papritur se populli inuit përbëhet nga njerëz të këndshëm.”

Aktiviteti i kinezëve në Arktik deri në një farë mase është kopje e veprimtarive të shumë vendeve të tjera joarktike.

Bashkimi Europian, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë aplikuar gjithashtu për të fituar statusin e vëzhguesit të përhershëm në Këshillin e Arktikut, gjë që u lejon atyre të shprehin opinionin e vet, por jo të votojnë.

Ky organizëm dikur i panjohur, ka qenë përqendruar në çështje të tilla si monitorimi i popullatës së kafshëve të Arktikut. Tashmë ka role më të rëndësishme, të tilla si përcaktimi i tarifave portale të të ardhmes dhe negocimit të marrëveshjeve mbi masat kundër rrjedhjeve të naftës. “Ne kemi ndryshuar nga një forum te një organizëm vendimmarrës”, thotë Gustaf Lind, ambasadori për Arktikun i Suedisë dhe aktualisht kreu i Këshillit.

Por Kina e konsideron përfshirjen e saj si “të domosdoshme, në mënyrë që të mos lihet jashtë nga vendimet mbi mineralet dhe transporti detar”, thotë dr. Jakobson, i cili është gjithashtu kërkues mbi Arktikun në Institutin Kërkimor për Paqe Ndërkombëtare në Stokholm. Ekonomia e Kinës është shumë e varur nga eksportet dhe një rrugë polare kursen kohë, distancë dhe para për transportin nga Kina kudo gjetkë në Europë, në krahasim me rrugën aktuale, atë përmes Kanalit të Suezit.

Deri më sot ka pasur shumë pak eksplorim real të burimeve të Arktikut. Groenlanda deri më sot ka vetëm një minierë në shfrytëzim, megjithëse më shumë se 100 vendburime janë shtuar në hartë. Këtu, si dhe në Alaskë, Kanada dhe Norvegji, kompanitë e naftës e të gazit janë ende duke eksploruar, megjithëse ekspertët vlerësojnë se më shumë se 20 për qind e rezervave botërore të naftës dhe gazit gjenden në Arktik. Një klimë më e ngrohtë sakaq ka zgjatur sezonin e punës me më shumë se një muaj, duke e bërë aksesin më të lehtë.

Në një ditë këtë verë, rreth 97 për qind e sipërfaqes së akullnajës së Groenlandës ishte në fazën e shkrirjes. Me ritmet aktuale, ujërat e Arktikut mund të bëhen të lira nga akulli gjatë verës, duke filluar nga fundi i kësaj dekade, thonë shkencëtarët.

“Gjërat po ndryshojnë shumë më shpejt nga sa parashikohej nga të gjitha modelet shkencore”, thotë dr. Morten Rasch, i cili drejton Programin e Monitorimit të Ekosistemit të Groenlandës në Universitetin Aarhus në Danimarkë.

Pronësia mbi Arktik qeveriset nga Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, e cila u jep kombeve të Arktikut një zonë ekskluzive ekonomike që vijon për 200 milje nautike nga toka e tyre dhe te burimet nëndetare për aq gjatë sa vijon shelfi kontinental. Mesi i Oqeanit Arktik nuk i përket asnjë vendi dhe kushtet atje janë shumë të ashpra. Në ato pjesë ku kufijtë nuk kanë qenë kurrë një shqetësim, vendosja e gurëve të kufirit ka nisur si një garë mes vendeve kryesore, Kanada, Danimarkë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.

Shtetet e Bashkuara janë vonuar në lojërat aktuale, për shkak se Senati ka refuzuar të ratifikojë Konventën e Ligjit të Detit, megjithëse edhe administrata Bush, edhe ajo Obama kanë mbështetur vazhdimisht ratifikimin. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të shtrijnë formalisht kufijtë e vet nënujorë. “Ne kemi mbetur prapa”, thotë zëvendëssekretari Nides.

Por ekspertët thonë se mosmarrëveshjet mbi kufijtë ka shumë gjasa që do të zgjidhen shpejt përmes bisedimeve, në mënyrë që të gjithë të fillojnë të merren me biznesin e të bërit para. Ka “shumë pak hapësirë për një garë për të grabitur territore, për shkak se shumica e burimeve janë në zona sakaq të mirëpërcaktuara”, thotë Kristofer Bergh, një kërkues në Stokholm.

Megjithatë, kombet Arktike dhe NATO po ndërtojnë kapacitete ushtarake në rajon si një masë e kujdesit paraprak. Kjo ka lënë Kinën me pak mundësi zgjedhjeje, përveçse për të fituar ndikim përmes një strategjie që deri më sot ka punuar mirë në Afrikë apo në Amerikën Latine: kjo strategji përdor investimet në bashkëpunim me kompanitë vendore dhe financime të punëve të mira për të fituar simpati. Shkencëtarët e saj janë bërë shtylla të rëndësishme në kërkimin ndërkombëtar mbi Arktikun dhe akullthyeset e saj u janë bashkuar ekspeditave shkencore.

Kompanitë kineze, disa prej të cilave kanë lidhje të ngushta me qeverinë, janë duke investuar gjerësisht në Arktik. Në Kanada, kompanitë kineze kanë blerë interesa në dy kompani nafte, gjë që i lejon të kenë akses në shpimet në Arktik. Gjatë një vizite në Islandë në qershor, Kryeministri kinez, Uen Jiabao, nënshkroi disa marrëveshje ekonomike, duke përfshirë fusha të tilla si energjia gjeotermale dhe tregtia e lirë.

“Në Groenlandë, kompani të mëdha kineze po financojnë zhvillimin e minierave që po zhvillohen përreth zbulimeve të xhevahireve apo mineraleve nga kompani të vogla sipërmarrëse”, thotë Soren Meisling, kreu i çështjeve kineze në kompaninë ligjore “Bech Bruun” në Kopenhagën. Një minierë e madhe hekuri është duke u zhvilluar pranë kryeqytetit Nuuk dhe është nën pronësinë e një kompanie britanike, por që financohet pjesërisht prej një prodhuesi çeliku nga Kina.

Kompanitë minerare kineze kanë dëshmuar se janë të afta të punojnë në zona të vështira dhe kanë propozuar edhe ndërtimin e pistave të aeroplanëve të mëdhenj mbi akullin e Groenlandës për të transportuar nga ajri mineralet deri sa akulli të shkrihet mjaftueshëm për të lejuar lundrimin.

“Ka sakaq një ndjenjë gare në Arktik dhe ata mendojnë se nëse veprojnë të parët, do të kenë avantazh”, thotë Jingjing Su, një avokat përgjegjës për kompanitë kineze.

Këto përpjekje kanë një mbështetje të qartë politike. Ministri për industrinë dhe burimet minerare të Groenlandës u prit përzemërsisht nga zëvendëskryeministri kinez Li Keqiang nëntorin e kaluar. Disa muaj më vonë, ministri kinez për Tokën dhe burimet, Xu Shaoshi, udhëtoi në Groenlandë për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Analistët perëndimorë janë të shqetësuar, për faktin se Kina mund të përdorë pasurinë e vet, veçanërisht në disa rajone të varfra financiarisht të Arktikut, si Groenlanda dhe Islanda. Por zyrtarët kinezë i kanë paraqitur qëllimet e tyre si më të larta.

“Aktivitetet e Kinës janë për qëllime të hetimeve të rregullta mjedisore dhe investime që nuk kanë fare të bëjnë me plaçkitjen e burimeve dhe kontrollin strategjik”, thotë agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua”.

Michael Byers, një profesor i politikës dhe ligjit në Universitetin e Kolumbisë Britanike, thotë se ka shumë pak gjasa që kinezët të tejkalojnë të drejtat e veta në një rajon të populluar nga anëtarët e NATO-s. “Pavarësisht shqetësimeve që kanë mbi politikën e jashtme të Kinës, në pjesë të tjera të botës, në Arktik, ato po veprojnë me përgjegjësi. Ata thjesht duan të fitojnë para”, thotë ai.

Shkurtin e ardhshëm, Këshilli i Arktikut do të takohet për të zgjedhur vendet që do të përfitojnë statusin e vëzhguesit të përhershëm, gjë që kërkon një votë unanime të anëtarëve. Megjithëse Islanda, Danimarka dhe Suedia tashmë mbështesin kërkesën e Kinës, Departamenti i Shtetit në SHBA refuzoi të komentojë mbi këtë çështje.