Shkarkohet Kryeziu me tërë Kryesinë e LDK-së në Prizren

Shkarkohet Kryeziu me tërë Kryesinë e LDK-së në Prizren

Shkarkohet Kryeziu me tërë Kryesinë e LDK-së në PrizrenLideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka takuar sot Kryesinë e Degës së LDK-së në Prizren, prej të cilëve ka marrë mendimet për zhvillimet politike në këtë Degë.

Pas përplasjeve të shumta dhe akuzave e kundër akuzave në mes kryetarit të degës, Eqrem Kryeziut me disa nga anëtarët e kryesisë, është marrë vendim që të shkarkohet Kryeziu dhe tërë kryesia e degës. Aktivitetin e degës, deri në zgjedhjet e rregullta në parti, do ta koordinojë Hanefi Muharremi, i cili do të bashkëpunojë me këshillin koordinues nga Kryesia Qendrore.

Në fakt pas humbjes së Eqrem Kryeziut në garën për kryetar të Prizrenit, Brenda Degës së LDK-së u zgjua një revolt e brendshme kundër Eqrem Kryeziut duke e akuzuar atë si fajtor kryesor për këtë humbje.

Aktivistë të kësaj dege, ndër më të zëshmit Aziz Hodaj e deputeti Xhavit Ukaj kanë iniciuar mbledhjen e nënshkrimeve të delegatëve të Degës në Prizren për të thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të Degës për ndryshime në kreun e partisë në këtë qytet.

Takimi mbajtur në ora 16 në selinë e LDK-së në Prishtinë, është përshkuar nga një debat i nxehtë e herë herë edhe me tensione të larta.

Burime të gazetës “Botaprres” bëjnë të ditur se një “dialog” I ashpër është zhvilluar sidomos në mes të Eqrem Kryeziut e Aziz Hodajt.

Kryeziu për më shumë se 15 minuta në fjalën e tij e ka akuzuar Hodajn për përpjekje “puçiste” brenda Degës së LDK-së si dhe për takime të fshehta me njerëz të PDK-së, Nijazi Kryeziun e Kadri Veselin.

Hodaj e ka përgënjeshtruar Eqrem Kryeziun por e ka bërë përgjegjës kryesor për humbjen në Prizren.

Pas gjithë këtij debati, palët janë pajtuar që të formohet një këshill koordinues nga Kryesia Qendrore në përbërje prej Haki Rugovës, Naser Osmanit e Anton Çunit.
Gjithashtu në këtë takim është caktuar Hanefi Muharremi për koordinator të aktivitetit me këshillin koordinues deri në zgjedhjen e një ekipi ekzekutiv të Degës deri në mbajtjen e Kuvendit të rregullt zgjedhor, që parashihet të mbahet në kohën e rregullt të mbajtjes së kuvendeve zgjedhore të LDK-së.

Ky ekip ekzekutiv pritet të zgjidhet në një afat kohor prej dy javësh.

“Praktikisht Eqrem Kryeziu nuk është më kryetar i Degës së LDK-së, ndërkaq e gjithë kryesia e Degës është e shkarkuar”, ka bërë të ditur burimi brenda takimit. /Botapress/