bankatShiten 25.4 miliardë lekë bono thesari, interesat bien në 5.35 për qind

Shiten 25.4 miliardë lekë bono thesari, interesat bien në 5.35 për qind

bankatShiten 25.4 miliardë lekë bono thesari, interesat bien në 5.35 për qindPavarësisht nga thirrjet e mazhorancës së dalë nga zgjedhjet parlamentare për të frenuar rritjen e borxhit, qeveria ka realizuar dje dy ankande, duke e shtuar atë edhe me një çerek miliardi dollarë amerikanë.

Është realizuar dje, pavarësisht nga këmbëngulja publike e Edi Ramës dhe e koalicionit fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, shitja e bonove të thesarit, me një shumë jashtëzakonisht të lartë, që rritin shifrën e borxhit të brendshëm.

Gjatë pjesës së parë të vitit, në periudhën parazgjedhore, qeveria shqiptare ka shënuar një performancë edhe më të ulët të të ardhurave buxhetore se më parë, çka ka çuar në rritjen e deficitit, duke e detyruar qeverinë që të kërkojë më shumë borxh. Banka e Shqipërisë, që shërben si operator i qeverisë në këtë rast, ka shitur dje në ankand rreth 25.4 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 6 dhe 12 mujor. Me kërkesën që ka qenë më e lartë se oferta, interesi i bonove ka shënuar një rënie të mëtejshme, duke arritur në një tjetër minimum historik. Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 12 miliardë lekë dhe ajo e kërkuar 9 miliardë lekë. Interesi mesatar zbriti në 5.35%, nga 5.52% që u shënua në ankandin paraardhës. Kurse për bonot 6-mujore, shuma e ofruar për shitje ishte 16.34 miliardë lekë dhe ajo e kërkuar 18.57 miliardë lekë. Interesi zbriti në 5.3%. Për bonot 6 mujore, yield-i në ankandin e mëparshëm rezultoi 5.51%.

Kjo ishte shuma më e madhe shpallur për shitje që nga janari 2013. Rreth 65% e bonove u blenë nga Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit është pjesëmarrëse e rregullt në ankandet e Bonove të Thesarit, kryesisht në ato 3 dhe 6 mujore dhe më pak në ankandet 12-mujore.

Me të ardhurat që kanë rënë me 0.2% me bazë vjetore dhe shpenzimet totale që janë rritur me 13.3% me bazë vjetore, deficiti buxhetor në pesë muajt e fundit e kaloi nivelin e krahasueshëm të vitit të kaluar me rreth 114% dhe ishte pothuajse 50% më i lartë se ai i planifikuari.

Tregu financiar në vend vazhdon të shfaqë ofertë të lartë për të financuar borxhin publik, pavarësisht nga përkeqësimi i ndjeshëm i treguesve fiskalë. Për pesëmujorin e këtij viti deficiti ishte 50% më i lartë se planfikimi i buxhetit dhe e gjithë kjo shumë është mbuluar me huamarrje në tregun e brendshëm. E megjithatë, kërkesa e pakët për kredi nga sektori privat dhe rreziku i lartë për shkak të dobësimit të ekonomisë ka bërë që investimet e sektorit financiar të përqëndrohen akoma më shumë te borxhi i qeverisë dhe oferta e lartë i ka ulur interesat në vlerat minimale historike.