Shefi i ri i EULEX-it vendos prioritet luftën kundër korrupsionit

Shefi i ri i EULEX-it vendos prioritet luftën kundër korrupsionit

Shefi i ri i EULEX-it vendos prioritet luftën kundër korrupsionit Bernd Borchardt, shefi i ri i misionit EULEX, nga 1 shkurti zëvendëson francezin Xavier Bout de Marnhac. Ai, siç raportojnë sot mediet, në një konferencë për shtyp në Bruksel, diplomati gjerman, me përvojë në Kosovë, deklaroi dje si prioritete luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kur u largova nga Kosova në vitin ’99 pata bindjen e plotë se populli kërkonte paqe dhe liri, por përveç kësaj ata donin institucione të qëndrueshme, demokraci dhe rend ligjor.

Pra, ne jemi këtu për të ndihmuar Kosovën europiane, në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Por, kemi ende sfida të rënda përballë nesh, siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar”, u shpreh Bernd Borchardt.

Megjithëse komandanti i operacioneve civile u përpoq të shmangte tema sensitive të dialogut Prishtinë-Beograd, shefi i deritanishëm i EULEX-it sqaroi se për misionin, prioritet tjetër i rëndësishëm mbetet veriu i Kosovës.

“Situata në veri mbetet një çështje e një shqetësimi të lartë për misionin, siç ka ndodhur këto dy vjet. Por, ka ndryshime domethënëse, siç është nisja e zbatimit të marrëveshjes për pikë-kalimet kufitare… Në termat e sigurisë ka ende një çështje delikate, që duhet zgjidhur, që është liria e qasjes dhe e transportimit të të gjithë punonjësve në dogana. Siç e dini, ne i transportojmë me helikopter oficerët e doganave dhe policët kufitare të Kosovës dhe kjo është një mbështetje e kushtueshme për misionin”, tha Xavier Bout de Marnhac, kreu (në largim) i EULEX.

Veriu i Kosovës pritet të diskutohet dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, mes kryeministrave Thaçi-Daçiç, më 17 Janar. Këtij takimi i paraprin të martën, ai i kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit. Pas ndërprerjes së fundjavës, palët vijojnë diskutimet teknike për energjinë, telekomin dhe mbi mënyrën e funksionimit të doganave në pikë-kalimet kufitare.