Sfidat ekonomike të qeverisë së re

Sfidat ekonomike të qeverisë së re

Sfidat ekonomike të qeverisë së reQeveria e re, që me të gjitha gjasat do të formohet pas votëbesimit në Parlamentin e ri në shtator të këtij viti, do të përballet me sfida të mëdha ekonomike.

Rritja ekonomike është në nivelet më të ulëta në 15 vjet, ndërsa borxhi publik në nivelet më të larta historike. Për pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat tatimore në buxhet janë afro 14 miliardë lekë më pak se plani, ndërsa defiçiti buxhetor mbi 38 miliardë lekë, afro 80% e gjithë defiçitit vjetor të programuar.

Të ardhurat e munguara, asfiksimi i shpenzimeve dhe rënia e cilësisë së tyre, po e thellojnë më tej krizën e financave publike. Bizneset vendase dhe të huaja punojnë me kapacitete jo të plota dhe kjo ka frenuar rritjen e pagave, hapjen e vendeve të reja të punës dhe investimet e reja. Në programin e vet politik, partia më e madhe e koalicionit të sotëm fitues, Partia Socialiste ka premtuar rikthimin e programit të bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe futjen e tatimit progresiv mbi të ardhurat personale të individëve dhe heqjen e TVSH për disa nga produktet ushqimore bazë. Ajo nuk e ka detajuar efektin financiar të këtyre masave, por gjasat janë që ato të miratohen për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, konsolidimi fiskal dhe mbajtja nën kontroll e borxhit janë një sfidë urgjente me të cilën qeveria e re duhet të përballet qysh ditën e parë. Asaj i duhet të krijojë një sistem ekonomik mbi bazën e nxitjes së iniciativës së lirë, por me ndërhyrjen e shtetit, për të mundësuar barazinë e mundësive në një ambient social të përgjegjshëm. Ky sistem duhet të plotësojë nevojat e domosdoshme të shoqërisë për shëndet e arsim, për të mirat publike si energji, ujë e ambient të pastër, pavarësisht nga aftësitë paguese të shtresave të të gjithë shoqërisë.

Ardhja e së majtës në pushtet pritet të rikthejë dhe një herë marrëdhëniet bashkëpunuese me organizatat e huaja financiare, me të cilat qeveria paraardhëse ka pasur një marrëdhënie të tendosur, gati sfiduese e shpërfillëse. Në mes të korrikut, në Shqipëri pritet të zbarkojë një mision ekspertësh të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të nisë punën për të vlerësuar ecurinë ekonomike të deritanishme të vendit dhe masat që duhen marrë, ku parashikohet edhe një vendosje e tavanit të borxhit për të pasur një disiplinë fiskale dhe për të qenë më transparentë, në mënyrë që aktorët e tregut të veprojnë në mënyrë konkurruese. Në bashkëpunim me misionin, qeveria e re dhe Banka e Shqipërisë do të hedhin hapat e një reforme të gjerë ekonomike, që do të jetë në bazë të ekonomisë sonë për 20-30 vitet e ardhshme. Qeveria pritet të marrë masa fiskale, të cilat do të garantojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik, rrisin besimin e tregjeve financiare në financat tona publike dhe ulin koston afatgjatë të shërbimit të borxhit.

Nga ana tjetër, qeveria e re duhet të demonopolizojë ekonominë tonë. Në 8 vitet e fundit janë monopolizuar një sërë shërbimesh publike, duke eliminuar konkurrencën dhe duke transferuar monopolin nga shteti te privati. Sot paguajmë disa herë më shumë për energjinë elektrike, që është një e mirë publike e monopolizuar dhe e dështuar nga një privat, është dhënë një monopol për fibrat optike, që janë baza e zhvillimit teknologjik, është monopolizuar kontrolli i cilësisë së karburanteve nga një koncesion, është falur llotaria kombëtare për 5 milionë dollarësh, ndërkohë që të ardhurat prej saj mund të kuronin shumë plagë sociale. Qeveria duhet urgjentisht të nisë të sigurojë parakushtet për funksionimin normal të ekonomisë së tregut, me aspektin social, si sigurimin e pronës private të pacenueshme nga shteti apo aferat korruptive, funksionimin e ligjit dhe rregullit, zbatimin e një politike monetare në funksion të zhvillimit të ekonomisë, etj. Dhe mbi të gjitha, dy supersfidat janë rritja ekonomike dhe punësimi. Ky i dyti është kërkesa më parësore e rreth 1 milion votave të hedhura më 23 qershor 2013 për koalicionin e sotëm fitues.