Serbia ia ndërron drejtimin “Rrugës së Kombit”

Serbia ia ndërron drejtimin “Rrugës së Kombit”

Qeveria e Serbisë ka pranuar të lidhet me Kosovën me autostradë, por jo në vendkalimin kufitar në Merdar, ashtu siç ishte planifikuar nga autoritetet e Kosovës.

Sipas autoriteteve serbe, pika lidhëse me Kosovën do të jetë afër Prapashticës, ndërsa lidhja me autostradën më të afërt të Serbisë do të bëhet diku afër qytetit Leskovc.

Ministri serb i Komunikacionit, Milutin Mërkonjiq, ka thënë të shtunën në Beograd se Qeveria serbe ka planin e ndërtimit të autostradës nga Negotini, që gjendet në afërsi të kufirit me Rumaninë e Bullgarinë, nëpërmjet Zajeçarit, Nishit në drejtim të Prishtinës e më pas Pejës, deri në kufi me Shqipërinë. Mërkonjiq, medieve serbe u ka thënë se me këtë rrugë pritet të krijohet një korridor i ri evropian. Ndërtimi i kësaj autostrade që, sipas tij, është i harmonizuar me BE-në, është planifikuar nga Serbia për shkak se “ekonomikisht kjo do të ishte e arsyeshme”.

Dhe, ndërkohë që ata kanë koordinuar punët me BE-në, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka të qartë drejtimin e autostradës në territorin e saj, e as mënyrën e financimit të pjesës së mbetur, përkatësisht nga Prishtina drejt kufirit me Serbinë.