Serbët festojnë me armë e këngë nacionaliste
Qindra qytetarë serbë të veriut të vendit kanë marrë pjesë në ceremoninë kryesore për nder të Vitit të Ri ortodoks, që është mbajtur mbrëmë në sheshin “Vëllezërit Milic” në veri të Mitrovicës, afër barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër.
Mjetet piroteknike, të cilat janë dëgjuar pothuajse deri në orët e hershme të mëngjesit, pastaj të shtënat me armë zjarri, si dhe këngët nacionaliste me zë të lartë të interpretuara nga këngëtarë lokalë e grupe nga Beogradi, kanë shqetësuar banorët shqiptarë dhe ata joserbë që jetojnë në atë pjesë të qytetit.
Të shtënat me armë gjatë natës janë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi rajonal i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë për Kosovapress se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë shtuar prezencën e tyre gjatë natës nëpër rrugët e veriut dhe sipas tij nuk është shënuar ndonjë incident.