|

Sejdiu: Projekt-rezoluta serbe nuk do të miratohet nga KB

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministri i Punëve të Jashtme Skender Hyseni, pak para nisjes për në Nju Jork, kanë shprehur edhe një herë bindjen se projekt-rezoluta serbe për Kosovën nuk do të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa kanë përjashtuar kategorikisht rihapjen e bisedimeve për statusin.

Në një konferencë për media të shtunën në Aeroportin e Prishtinës, presidenti Sejdiu tha se qëllimi themelor në këtë rrugë është që të takojnë përfaqësues, delegacione dhe udhëheqës të lartë të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që do të jenë në kohën e Asamblesë së Përgjithshme, ndërkaq ai qëndrimin e tij në Nju Jork e ka ndarë në dy etapa debatin rreth projektrezolutës së Serbisë si dhe angazhimet rreth njohjeve të reja.

“Do ta ndaja në dy etapa qëndrimin tim dhe të kryeministrit, ndërsa ministri i Jashtëm do të qëndrojë edhe më gjatë. Është koha e debatit të mundshëm për projektrezolutën e paraqitur nga Serbia për të penguar ecjen tonë të mëtejshme sipas vizionit të saj, por nuk mund ta bëjë dhe të relativizojë qëndrimin e qartë të shprehur të GJND-së, pra mendimin e saj sipas kërkesës atëherë të Republikës së Serbisë, dhe pjesa tjetër do të jetë pjesë po ashtu që lidhet edhe me të parën natyrisht që në kuptimin e angazhimeve për njohje të mëtejshme”, ka thënë ai.

Presidenti Sejdiu është shprehur optimist se pas Hondurasit, do të pasojnë njohje të reja nga shumë vende, nga të cilat tashmë kanë ardhur paralajmërime, ndonëse kreu i vendit nuk përmendi emra konkretë.

“Unë them se ka shenja të mira por nuk mund të them drejtpërdrejt se cila mund të jenë vendet që mund të lëvizin apo do të presin kohë tjetër”, ka thënë Sejdiu.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka thënë se është një numër i madh vendesh që kanë paralajmëruar se janë duke e shqyrtuar mundësinë për njohjen e shtetit të Kosovës.

“Po, shkurt po, priten njohje të reja, tash se kur do të ndodhin para Asamblesë së Përgjithshme apo pas nuk mund ta themi por ka shumë shtete që kanë dhënë indikacione shumë të qarta që janë duke e trajtuar gjithanshëm kërkesën e Republikës së Kosovës për njohje”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq, presidenti Sejdiu ka hedhur poshtë mundësinë e pranimit të ndonjë variantit tjetër të tekstit të projekt-rezolutës serbe, duke thënë se çështja e Kosovës tashmë është një kapitull i mbyllur dhe se nuk do të ketë më biseda për statusin.

“Qëndrimi jonë është shumë i çart, Kosova nuk do të pajtohet me asnjë variant me asnjë dokument i cili në një formë apo formë tjetër ka përpjekjen në radhë të parë të rihapjes së proceseve të bisedimeve, të negociatave për çështjen e statusit, për çështjen e integritetit të vendit, për çështje të interferencave të brendshme dhe rregullimin e brendshëm tonin, për cenimin e Pakos së Ahtisaarit dhe për cenimin e parimeve të rëndësishme që ka dhënë mendimin e vet GJND-ja”, ka thënë presidenti Sejdiu.

Ministri Hyseni i ka sugjeruar Serbisë që të tërheqë projekt-rezolutën për Kosovën, pasi ky do të ishte veprimi më i mirë i mundshëm në këtë rast, kur dihet edhe qëndrimi i SHBA-ve dhe vendeve të BE-së sa i përket tekstit të kësaj projekt-rezolute.

“Sa i përket draft-rezolutës serbe, sekretari britanik i shtetit ka rekomanduar tërheqjen e saj dhe kjo do të ishte veprimi më i shëndetshëm dhe më i mirë edhe për Kosovën edhe për Serbinë, nëse kjo nuk ndodh ju jeni në dijeni të përpjekjeve të BE-së për të ndërtuar një konsensus brenda vet BE-së për një qasje konsensuale”, ka thënë ai.

Delegacioni shtetëror i Kosovës, të cilit do t’i bashkohet më vonë kryeministri Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Nju Jork do të zhvillojë shumë takime me delegacione të ndryshme botërore, me qëllim të lobimit për njohjen e Kosovës, në mesin e tyre edhe një delegacion të Ligës Arabe.

Kosova deri më tani është njohur nga 70 vende të botës. Prej tyre, njohja e fundit erdhi dje nga Hondurasi, i cili është njëherësh vendi i parë që njeh Kosovën pa mendimit këshillëdhënës të GJND-së se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Më 9 shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të debatohet në lidhje me projekt-rezolutën serbe, me të cilën kërkohet zhvlerësimi i mendimit të GJND-së.

SHBA-të dhe BE kanë kërkuar nga Serbia tërheqjen e projekt-rezolutës ose modifikimin e saj, por Beogradi deri më tash nuk ka dhënë shenja se do të bëjë një gjë të tillë.

Prishtina zyrtare tashmë disa herë ka shprehur bindjen se sikurse në GJND, ashtu edhe kësaj radhe në AP të KB-ve Kosova do të shënojë fitore.

Komentoni