sandoria

Sampdoria, ndahet nga jeta Garrone

sandoriaËshtë shuar në moshën 76-vjeçare presidenti i Sampdorias, Riccardo Garrone. Sipërmarrësi, i sëmurë prej kohësh, u lind më 23 janar 1936 në Xhenova. Nga maji 2011, ia kishte besuar fatet e ekipit “blucerchiata” djalit të tij, Edoardo Garrone, duke e emëruar zëvendës-president.

Garrone, president nderi i “Erg”, e bleu Sampdorian në 2002 nga Enrico Mantovani, duke e ngjitur menjëherë nga Seria B në Serinë A. Në 2010-n siguroi edhe kualifikimin në Champions League.

Ai kishte 6 fëmijë. Riccardo Garrone mori drejtimin e Erg, kompani e krijuar në 1938 nga i ati, në vitin 1963 dhe mbeti president i saj deri në 2003, vit në të cilin u fut në shoqëri i biri Edoardo.

Nga 2005 mbante pozicionin e presidentit të Fondacionit Garrone, që promovonte aktivitete kulturore dhe shkencore. Ka qenë edhe president i bankës “San Giorgio” nga prilli 2010 deri në tetor 2012. Ka patur rol edhe në Konfindustrinë. Në 1993 u emërua “Kavalier i punës”.

Ka qenë pikërisht Garrone, ai që mori në “Marassi” idhullin Antonio Cassano në gusht 2007. Raporti at-bir u prish në 2010-n si pasojë e një zënke në dhomat e zhveshjes, por u rregullua me kalimin e kohës.

Kanë reaguar, duke shprehur ngushëllime, e gjithë bota e futbollit italian, me në krye ekipet e mëdha: Juventus, Inter, Milan.