Sali Berisha: Kriza ekonomike gjunjëzoi fqinjët, por jo Shqipërinë

Sali Berisha: Kriza ekonomike gjunjëzoi fqinjët, por jo Shqipërinë

Sali Berisha: Kriza ekonomike gjunjëzoi fqinjët, por jo ShqipërinëKryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme në kryeministri, një bashkëbisedim me gazetarët.

Në këtë takim Berisha është shprehur se Shqipëria përballoi me sukses krizën ekonomike të eurozonës, krizë kjo e cila ka pllakosur partnerët tanë më kryesorë, Italinë dhe Greqinë.

“Në kushtet e kësaj krize, do ishte normale të mendohej se ekonomia e vogël e Shqipërisë, do të ishte viktima e parë dhe ndër më të rëndat e kësaj krize, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo krizë ka patur pasqyrimet e saj në ekonominë shqiptare, por asnjë nga këta faktorë me gjithë ndikimin e tyre, nuk ka arritur ta “gjunjëzojë” këtë ekonomi. Ekonomia shqiptare, në vitet më të vështira të krizës, nuk njohu recension, por ruajti një rritje ekonomike nga 3-4%, rritje kjo 4 herë më e madhe se sa rritja mesatare e rajonit”, u shpreh Berisha.

Më tej kryeministri Berisha në lidhje me deklaratat e opozitës për të hedhur poshtë të dhënat dhe statistikat për ekonominë shqiptare, është shprehur: “ Opozita ka shpallur me qindra herë se ekonomia shqiptare është në krizë, se buxheti nuk ka para për rroga, se rrogat nuk do të paguhen, se po ecet drejt një falimentimi të plotë. Sot çdo gjë është globale, por asgjë nuk është më globale se ekonomia.”

Kryeministri Berisha i është referuar më pas edhe deklaratave më të fundit të personaliteteve të institucioneve më kryesore financiare ekonomike botërore, për ekonominë e Shqipërisë.

Në deklaratën e Bordit Ekzekutiv të FMN-së për Shqipërinë, në datën 11 Janar 2013 thuhej: “Shqipëria ka arritur me sukses të shmangi ngadalësimin ekonomik prej vitit 2009.

Drejtorët i përgëzuan autoritetet shqiptare për politikat e drejta që bën të mundur rritjen ekonomike në mes të krizës financiare globale. Drejtorët i përgëzuan autoritetet shqiptare për politikat që kanë garantuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar.”

Po Kështu kryeministri ka vazhduar më edhe me deklarata të tjera, si ajo e Shefit të Misionit Të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, Zv.Presidentit të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qëndrore, Philippe H. Le Houerou, Drejores në vend dhe Koordinatores rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage, Presidentit të BERZH-t, Suma Chakrabarti, Ministrit të Financave të Italisë, Vittorio Umberto Grilli, Raportit Botëror të Investimeve 2012 UNCTAD, Progres Raportin 2012 të Bashkimit Europian për Shqipërinë, të cilat Berisha i ka quajtur si një seri vlerësimesh Europiane dhe Botërore për ekonominë shqiptare që faktojnë se ekonomia shqiptare i rezistoi krizës falë reformave të thella që u ndërmorën para fillimit të krizës.

“Këto vlerësime faktojnë që i rezistuam krizës falë reformave ekonomike që u morën para krizës. Këto reforma kanë sjellë zgjerim të biznesit dhe rritje me 2.5 herë të bizneseve. Qeveria shqiptare vendosi të heqë çdo tarifë doganore mbi makineritë prodhuese dhe kjo bëhet me qëllimim më madhor,që të nxisim prodhimin,që të nxisim punësimin. Ky është një revolucion i vërtetë fiskal, shteti paguan sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për të rinjtë që punësohen. Hidrocentralet janë vende të rëndësishme për punësim. Shqipëria do të vazhdojë të ketë rritje falë paketës së reformave që ne kemi ndërmarrë”, u shpreh Berisha.

Kryeministri ka folur gjithashtu dhe për kryetarin e Partisë Socialiste dhe programin e kësaj partie duke thënë se: “Taksa progresive nxit në progresion gjeometrik evazionin fiskal, programi i Partisë Socialiste nuk ka asgjë reale, por vetëm fictive. Kur Rama “preu kokën” e deputetit të Kukësit, imagjinoni “kokën” e Erjon Braçes. Kjo është një politikë terrori mbi deputetët e Partisë Socialiste. Rama po përgatit humbjen e radhës dhe bojkotin e parlamentit, Rama duhet ta interpretojë si thirrje për të votuar tre ligjet, fjalën e komisionerit Fyle. Ne do bëjmë gjithçka për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 23 Qershor kurse Rama tenton të demonizojë zgjedhjet.”

“Fotoja e krerëve të policisë me Arben Frrokun nuk është provë. Po të nisemi nga fotot, Rama del anëtar i “Hakmarrjes për Drejtësi”. Shpenzimin e parave të HEC-ve do e vendosë parlamenti shqiptar, një pjesë e parave do shkojnë për shlyerjen e borxheve ndaj kompanive por nuk do të rritet niveli i borxhit. Koalicioni ynë qeveritar, është më i suksesshimi dhe më i qëndrueshmi në këto 20 vite. Unë ju garantoj se koalicioni ka funksionuar pa asnjë dallim nga aleatët e tjerë. Partia Demokratike është e hapur për koalicione edhe me parti të tjera.

Rama kishte kërkesa korruptive për aleancë me LSI-në. LSI-ja do të qeverisë me forcën politike që do krijojë qeverinë, LSI-ja trashëgiminë e qeverisjes e ka me Partinë Demokratike. Marrëdhëniet me Edi Ramën karakterizohen nga një pabesi. Unë nuk po paraqes deputetë, po merrem me programin dhe me reformat e mëdha. Nëse Rama nuk voton tre ligjet, atëherë ato do të votohen në referendum. Kjo çështje do ishte 100 herë më mirë të zgjidhej pa referendum”, ka përfunduar Berisha. (INA)