|

Sali Berisha i jep një ministri të re Pollos, i heq kompetenca Olldashit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me propozim të kryeministrit Sali Berisha ka shkarkuar dhe emëruar sërish dy ministrat e kabinetit qeveritar, Sokol Olldashin dhe Genc Pollon.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim të detyruar që vjen për shkak të performancës së këtyre dy ministrave, por për një akt formal që vjen si pasojë e ndryshimit të emërtimit të dy dikastereve që ata drejtonin deri më tani. Megjithatë, një vendim i tillë duket se ka rëndësinë e vetë edhe për sa i përket përmbajtjes apo thënë më qartë kompetencave dhe fushës së veprimit të ministrive që drejtonin këta dy ministra, pasi tashmë telekomunikacionet kalojnë nga Olldashi tek Pollo.

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, ka dhënë pëlqimin e vet lidhur me propozim e Kryeministrit, duke shpallur dje një sërë dekretesh që kanë të bëjnë me ndryshimin e emërtesave të ministrave të Kabinetit Qeveritar.

Por, për këtë qëllim presidentit i është dashur të lëshojë një sërë dekretesh duke shkarkuar së pari dy ministrat nga pozicionet që ata mbanin dhe duke i emëruar sërish në dy ministritë që marrin emërtesat e reja. Kështu, fillimisht presidenti me një dekret të veçantë ka shkarkuar Sokol Olldashin, si ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, dhe me një dekret tjetër e ka riemëruar atë në detyrën e kreut të ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

Pra, ndryshe nga deri më tani dikasteri që do të drejtohet nga Olldashi nuk do të ketë më vijimin e emërtesës “telekomunikacioneve”, çka në vetvete përbënë dhe një ndryshim në objektin e punës së kësaj ministrie, e cila nuk do të ketë më të bëj me telefoninë dhe mjetet e tjera të komunikimit. Ndërkohë që ky proces reformimi ka përfshirë edhe dikasterin ministror që drejtohet nga Genc Pollo. Por, ndryshe nga rasti i Olldashit, Pollo do të drejtojë tashmë një ministri që për nga fusha që do të mbulojë përbënë një ndryshim rrënjësorë.

Kështu Genc Pollo, është shkarkuar nga detyra e ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, një dikaster ky i krijuar nga kreu i qeverisë Berisha në fund të verës së shkuar si një nevojë për të ruajtur balancat brenda partisë së vet, dhe është emëruar ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Pra bëhet fjalë për një ministri që do të ketë jo vetëm një emërtim të ri, por edhe një objekt pune krejtësisht tjetër nga ai kryente dikasteri i drejtuar prej Pollos. Pra, në këtë mënyrë kreu i qeverisë Berisha ka vendosur të shpërndajë kompetencat dhe fushën e veprimit mes ministrave të tij, duke ia zvogëluar ato Olldashit dhe duke i dhënë një rëndësi edhe më të madhe portofolit që mbante Pollo./shekulli/

Etiketa: , , ,

Komentoni