Sajmir Tahiri: Heqja e taksës së biznesit të vogël do ringjallë tregun

Sajmir Tahiri: Heqja e taksës së biznesit të vogël do ringjallë tregun

Sajmir Tahiri: Heqja e taksës së biznesit të vogël do ringjallë tregunDeputeti socialist, Sajmir Tahiri, kryetari i PS-së në Tiranë, i shoqëruar edhe nga drejtues vendorë të PS-së në Njësinë Bashkiake Nr.6, zhvilloi një seri takimesh me tregtarë dhe biznesmenë të vegjël, në Tregun Ushqimor të Qytetit të Nxënësve.

Tregtarët janë shprehur se këtë fundvit i janë nënshtruar edhe një sulmi gjobash nga administrata tatimore, që për ironi të fatit mbajnë edhe stemën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Deputeti Tahiri tha se PS ka marrë angazhimin që është publik për një partneritet me sipërmarrësit e vegjël.

Sipas Tahirit, heqja e taksës së biznesit të vogël do të krijojë energji financiare të shtuara për biznesin e vogël, për të hapur vende të reja pune, për të përmirësuar gjendjen e ekonomike të familjeve që mbahen me këto biznese të vogla, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.

“Për ne ky partneritet nis këtu. Është shumë e rëndësishme që ju të kuptoni që dy realitete s’mund të vazhdojnë. Ca biznese që janë biznese të preferuara të qeverisë, e cila i majm e i fryn pse i ka në oborrin e vet dhe më pas 95% e bizneseve e të qytetarëve që rropaten për bukën e gojës dhe nuk ia dalin në fund.

Sot dështojnë qytetarët prandaj ka rënë fuqia blerëse, qeveria nuk ka krijuar vende të reja pune dhe ndaj e ka zhytur dhe ekonominë, ndërkohë dështon dhe sipërmarrja sepse s’ka fuqi blerëse, ndaj duhet ta fillojmë fillimisht duke ju lehtësuar ju, duke krijuar mundësi për qytetarët”, tha Tahiri. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Partia Socialiste ka këmbëngulur fort në Parlament, gjatë diskutimit të paketës fiskale për të hequr apo ulur një sërë taksash, që do të ndikonin drejtpërdrejt në rivitalizimin e ekonomisë.

Heqja e taksës së biznesit të vogël ishte një nga propozimet kryesore të PS-së, të cilin maxhoranca qeverisëse e rrëzoi me forcën e kartonëve, duke demonstruar kështu dhe një herë mungesën e vullnetit për të ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, që po përjeton krizën më të thellë, që nga ndryshimi i sistemit politik në vend, 22 vjet më parë.