qeveria e re

S’ka rritje as në mars

Është hera e dytë që Qeveria e Kosovës po e shtyn zbatimin e vendimit për rritje të pagave. Njëherë premtoi për janar, e tash e shtyu pas marsit. Edhe ky muaj do të mbulohet me buxhetin e vitit paraprak. Me këtë hiqen dilemat se do të ketë rritje të pagave në mars.

Pagat e sektorit publik nuk do të dalin me rritje as në muajin mars. Qeveria e Kosovës, në ditën e parë të saj, ka propozuar miratimin e vendimit për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars. Me këtë janë hequr të gjitha dilemat se do të ketë rritje të pagave këtë muaj.

Me Ligjin për financat publike, mund të shkohet deri në tre muajt e parë me buxhetin e vitit paraprak. Ky ligj parasheh shfrytëzimin e 1/12 pjesë të buxhetit të vitit paraprak. Por, për muajin e tretë duhet një vendim paraprak i Kuvendit. Për këtë punë, Qeveria e ka bërë propozimin qysh në mbledhjen e parë.

Zyrtarë të lartë qeveritarë, këtë shtyrje e kanë arsyetuar me vonesat në miratimin e buxhetit. Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se është hartuar draftbuxheti dhe se shumë shpejt ai do të jetë i gatshëm të procedohet për shqyrtim në Kuvend. Me këtë rast, ai ka kërkuar mbështetjen e kabinetit qeveritar.

“Ne si Ministri e Financave kemi hartuar draftbuxhetin, i cili do të diskutohet edhe me institucionet financiare ndërkombëtare dhe presim që shumë shpejt ta sjellim në Qeveri dhe pastaj të procedohet në Kuvend për aprovim”, ka thënë Hamza.

Sipas tij, Kuvendi duhet të marrë vendim për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për të mbuluar edhe muajin mars. Kjo, sipas tij, me qëllim të vazhdimit të funksionimit pa pengesa.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka hequr dilemat sa i përket çështjes së pagave, duke thënë se vendimi i Qeverisë për rritje të pagave do të zbatohet.

“Ai nuk është më vetëm premtim, por është vendim i Qeverisë së Kosovës. Ne do ta bëjmë gati shumë shpejt projektbuxhetin, do ta dërgojmë në Kuvend dhe në atë projekt do të jetë gjithsesi edhe rritja e pagave”, ka thënë Kuçi.

Ndryshe, historia e vendimit për rritje të pagave i ka rrënjët që nga fushata elektorale e zgjedhjeve të fundit. Kryeministri Thaçi iu kishte premtuar punëtorëve në shumë sektorë se do t’i marrin pagat me rritje, që nga muaji janar. Rritja ishte premtuar për 30 e 50 për qind.

Por, edhe pasi të gjithë shërbyesit civilë kishin nënshkruar listat me pagat me rritje në fund të muajit janar, gjithçka ndryshoi më 1 shkurt. Qeveria e Kosovës nuk e kishte realizuar vendimin e saj për rritjen e pagave. Ky vendim, sipas Qeverisë, ishte shtyrë deri në konstituimin e Parlamentit dhe miratimit të buxhetit nga deputetët.

Në anën tjetër, nuk kanë munguar edhe presionet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ICO’ja. Kjo e fundit, madje kishte shkuar aq larg duke e quajtur si të dyshimtë në aspektin ligjor, vendimin për rritje të pagave.

Hiq më lehtë nuk është as me FMN-në. Marrëveshja me këtë institucion nuk lejon që pagat të rriten më tepër se nga 7 deri në 8 për qind.

E sipas vendimit të Qeverisë, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin pagë 50 për qind më të lartë. Familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës do të kenë ngritje prej 50 për qind, policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, pasuar nga zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit.

Për paga dhe mëditje për vitin 2010 nga buxheti i Kosovës janë paguar 313 milionë euro, ndërsa për vitin 2011, kësaj shume pritet t’i shtohet shifra prej 100 milionë eurosh.