|

Rugova: LDK-ja s’po e shantazhon LDD-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD). Ai ka mohuar se LDK-ja është duke e shantazhuar anëtarësinë e LDD-së, ashtu siç ka deklaruar një ditë më parë nënkryetarja e LDD-së, Besa Gaxherri.

Në një intervistë për “Epokën e Re”, Rugova ka thënë se nuk është e vërtetë ajo që është thënë, se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke i bërë shantazh anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD).

“Kjo nuk qëndron. Është krejtësisht e pavërtetë. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është duke e shantazhuar askënd, sepse nuk ka nevojë. Shantazhi nuk është mjet të cilin e përdor LDK-ja. Madje nuk e di pse zyrtarët e LDD-së e quajnë shantazh. Nuk e kemi qëllimin për ta shantazhuar anëtarësinë e LDD-së dhe për këtë nuk ka asnjë dilemë. LDK-ja është duke punuar dhe vepruar në bazë të parimeve të saj demokratike dhe të mirëfillta”, ka deklaruar Rugova.

Përkundrazi, Rugova ka thënë se anëtarësia e LDD-së është duke shkuar me dëshirë në LDK. Ai ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) pas zgjedhjeve të fundit parlamentare i ka humbur bazën dhe elektoratin, prandaj e ka të vështirë të funksionojë si e tillë në të ardhmen.

Ndryshe, një ditë më parë Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Dardanisë ka akuzuar partitë politike (PDK-në, LDK-në dhe AAK-në), të cilat, sipas saj, janë duke e shantazhuar LDD me qëllim të zhbërjes së saj. Gaxherri ka thënë se LDK-ja nuk ka vullnet të bashkëpunojë me LDD-në, përderisa tenton ta manipulojë anëtarësinë dardane.

“Bashkëpunimet brenda partive politike nuk i bëjnë letrat, por njerëzit. LDK-ja nuk ka vullnet të bashkëpunojë me LDD-në. Topi është te LDK-ja. Ajo duhet të sillet në mënyrë parimore nëse dëshiron bashkëpunim”, ka deklaruar Gaxherri.

“Këto parti po mundohen t’i mbulojnë problemet e veta duke u marrë me një subjekt politik siç është LDD-ja, e cila ka probleme të natyrave të ndryshme, sidomos financiare, gjë që këto parti kanë financa sa t’ua dojë qejfi”, është shprehur Gaxherri, duke shtuar se askush nuk do të mund ta zhbëjë LDD-në, duke përshirë edhe LDK-në.

Komentoni