Rikthehet AH1N1

Rikthehet AH1N1

Rikthehet AH1N1Në Kosovë është konfirmuar rasti i parë për ketë sezon i gripit AH1N1, e që ndryshe njihet edhe si gripi i derrit.

Qendra Kombëtare e Gripit në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike e Kosovës, e ka konfirmuar rastin.Kurse, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani jep më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje.

“Në laboratorët e IKSHP-së, dje është konfirmuar rasti i parë i gripit AH1N1e që tashmë është një virus i zakonshëm dhe virus sezonal, te një paciente e hospitalizuar në mjekimin intensiv në QKUK. Rasti i sotëm në anketën e detajuar nuk ka ndonjë lidhshmëri epidemiologjike që pacienti ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka sjellë virusin”.

“Por, situata epidemiologjike është nën mbikëqyrje të plotë duke, e pasur parasysh që jemi në sezonin real të gripit sezonal dhe ne rekomandojmë te qytetarët që t’i shmangen vendet e mbyllura të paajrosura”, shprehet Ramadani.

Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë në gjendje gatishmërie për t’u përballur me raste eventuale të virusit AH1N1.

Këtë e thotë edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skender Syla.

“Institucionet shëndetësore në vitet paraprake kanë bërë përgatitjet e duhura në mënyrë që sistemi shëndetësor të jetë i gatshëm për t’u përballuar me forma të gripit duke përfshirë edhe atë AH1N1. Andaj mendoj se institucionet shëndetësore për nga aspekti i menaxhimit dhe pajisjeve kanë potencial të përballimit të rasteve të cilat do të mund të paraqiten”, thotë Syla.

Ndërkaq udhëheqësi i IKSHP-së, Naser Ramadani, rekomandon që qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal.

“Tashmë kemi rekomanduar që të vaksinohen qytetarët sepse ka mjaft vaksina të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare dhe rekomandojmë te qytetarët që të përdorin më shumë vitamina dhe ushqim kalorik”.

Sidoqoftë, infektologët në vend shpjegojnë se simptomat e këtij virusi janë pothuajse të njëjta me gripin e zakonshëm.

Ata thonë viruset karakterizohen me temperaturë, kollitje, dhembje të gjoksit, vjellje e dhembje të forta të kokës.

Por komplikimet mund të jenë pneumonia, apo kallja e mushkërive, derisa sipas tyre atëherë duhet të bëhen testet adekuate, në mënyrë që të identifikohet nëse pacienti ka fituar virusin AH1N1 ./rel/