Riçard Houit në Shkup për t’i tërhequr veshin Qeverisë

Riçard Houit në Shkup për t’i tërhequr veshin Qeverisë

Riçard Houit në Shkup për t’i tërhequr veshin QeverisëRaportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Riçard Houit zbriti sot në Shkup për të përgatitur terrenin për vizitën e shefit të diplomacisë greke Venizelos, javën e ardhshme.

Houit porositi politikanët por edhe faktorët e tjerë që të tregojnë maturi në deklarata dhe veprimet e tyre, me qëllim që kjo vizitë të kontribuojë në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Përpiqem të bëjë çmos që të siguroj që kjo vizitë të jetë e suksesshme, të ketë diskutime të frytshme me qëllim që të nxitet lëvizja përpara në Këshillin Evropian në samitin e qershorit. Apeli im ndaj politikanëve këtu dhe çdo kujt në këtë shoqëri, është që të shfrytëzojnë këtë periudhë përpara vizitës së tij dhe pas, që të sigurojnë me deklaratat dhe veprimet e tyre një atmosferë që vizita të kalojë në mënyrë të suksesshme”, deklaroi Riçard Houit, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.

Megjithatë, pak ditë përpara vizitës së ministrit të jashtëm grek në Shkup, mediat raportojnë se Venizelos nuk do të aterrojë në aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh”, e madje ai do të shmangë edhe rrugën që mban gjithashtu të njëjtin emër. Venizelos ka vendosur të zbresë në Prishtinë, me qëllim që të mos nxisë reagime në opinionin grek. Nga ana tjetër deputeti evropian Riçard Houit, nuk e fshehu sot shqetësimin ndaj gjendjes së mediave edhe në raportin e fundit të “Reporterëve pa kufi”. Houit theksoi se është përgjegjësi e gazetarëve dhe pronarëve që të sigurojnë pavarësinë e profesionit të tyre, të raportojnë në mënyrë objektive në përputhje me standardet e larta, pa u bërë partizan të dikujt. Houit nënvizoi nevojën e kultivimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Parimet e Marrëveshjes së Ohrit janë të mira, por objektivat akoma nuk janë arritur” , tha Riçard Houit, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.

“Mënyra e vetme për të pasur marrëdhënie të mira ndëretnike është të bindim veten, se vetëm duke jetuar bashkë mund të kemi të ardhme më të mirë”, theksoi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Houit rikujtoi se Maqedonia duhet të shtojë përpjekjet për plotësimin e kritereve politike, të avancojë dialogun politik, të punojë për sundim të së drejtës me qëllim që të mund të bëj hapa përpara, në rrugën e saj evropiane.