|

Rezoluta serbe destruktive dhe luftënxitëse

Derisa Serbia insiston dhe këmbëngul në destruksion ndaj Kosovës, është vështirë të gjendet arsye e logjikshme që me Serbinë të fillohet çfarëdo normalizimi i marrëdhënieve- ka deklaruar ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, në një intervistë për BBC-në.

Duke folur për projektrezolutën serbe për Kosovën, Hyseni ka thënë se është pothuajse e sigurt se ajo nuk do të kalojë në Asamblenë e përgjithshme, megjithatë ai nuk ka dashur të spekulojë se cili mund të jetë rezultati i votimit, por ka thënë se projektrezoluta serbe në thelb është destruktive dhe luftënxitëse dhe si e tillë është pak e besueshme të kalojë.

Ai ka thënë se vështirë mund të ndodhë që “pjesa dërmuese e vendeve anëtare të OKB-së të deklarohen, në thelb kundër GJND-së, që është vetvetja”. Sepse, sipas Hysenit, draftrezoluta serbe, me pikë e me presje është në kundërshtim flagrant dhe bie ndesh me mendimin e GJND-së.

“Për më tepër është një kritikë e papranueshme për mendimin e GJND-së, prandaj unë këmbëngul se në këtë tekst nuk ka asgjë për t’u modifikuar sepse ai është destruktiv dhe është luftënxitës, edhe si thirrje edhe si përmbajtje. Prandaj e kam të vështire të besoj se OKB-ja do ta përkrahë një nismë e cila në thelb është destruktive”, është shprehur ministri i Jashtëm.

Sa i përket mungesës së njohjeve pas opinionit të GJND-së, ministri Hyseni ia ka lënë fajin periudhës së pushimeve, faktit që secili vend veç e veç do ta analizojë mendimin e GJND-së, si edhe veprimit të Serbisë që ka bërë që njohjet të shtyhen, deri pas Asamblesë së Përgjithshme.

Etiketa: , , , , , ,

Komentoni