Rezervuarët e ujit, përplot baktere!

Rezervuarët e ujit, përplot baktere!

Rezervuarët e ujit, përplot baktere!Rezervuarët e ujit,të cilat i ka siguruar gati çdo familje në kryeqytet, si “shpëtim” nga reduktimet e shpeshta të ujit, vërtet u mundëson ujë, por me cilësi shumë të dobët. Uji që rri pëson ndryshime dhe nuk është i pijshëm, thonë përgjegjësit. Vetëm për ujin që vjen nga Ujësjellësi, është i sigurt për pije, thonë zyrtarët.

“Si kompani çdo ditë i marrim mostrat e ujit në 18 pika të qytetit dhe jemi duke e monitoruar cilësinë e ujit tërë kohën. Uji nga Ujësjellësi u përgjigjet të gjitha standardeve për ujë për pije”,tha zëdhënësja në KUR “Prishtina”, Arjeta Mjeku. E për cilësinë e ujit që qëndron në rezervuare, ajo nuk mban përgjegjësi.

“Uji i ndërmarrjes sonë përmban klor, nuk guxon assesi të ambalazhohet, të mbyllet dhe të mos ketë ajrim, sepse shkaktohen efekte anësore negative për shëndetin e qytetarëve”, tha ajo.

Sipas saj, nëse një familje shpenzon ujë më shumë, do të thotë uji qarkullon, nuk është shumë problem, përderisa nëse një familje ka rezervuarin me më shumë se 1000 litra ujë, dhe nuk e shpenzon brenda 24 orëve, por qëndron me ditë të tëra, atëherë ai ujë nuk është i pijshëm.

Ajo apelon që të mos instalohen rezervuare sepse kompanisë po ia çrregullojnë planin e reduktimeve të ujit.

Rreth asaj se sa a është i sigurt uji në institucionet parashkollore e fillore që kanë rezervuare ose do të pajisen me to, Mjeku tha se po konsultohen me Komunën, dhe pritet të vendoset kush do të marrë përgjegjësinë për pastrimin e tyre.

Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik,tha se në bazë të analizave që i marrin çdo ditë në pika të ndryshme të qytetit,uji i Ujësjellësit është i sigurt për pije, përderisa uji i rezervuareve nuk preferohet për pije.

“Cilësia e ujit në rezervuare është përgjegjësi e pronarit. Uji që qëndron më gjatë se 24 orë në rezervuar nuk preferohet për pije,ushqim, dhe rrezikon shëndetin e njeriut”, thotë Nushi.

Ajo sugjeron që qytetarët të pastrojnë shpesh rezervuarët, të paktën çdo tre muaj, të vendosin klor por duke marrë sugjerimet, duke bërë kërkesë në Institut.

Eksperti i Kimisë,Jonuz Salihaj, thotë se nëse uji qëndron gjatë në rezervuare aty mblidhen bakterie të shumta. Nëse përdoret për gjella, apo çaj, kjo nuk shkakton problem pasi që uji kur vlohet, bakteret zhduken .

“Efektet anësore që mund të shfaqen sidomos tek fëmijët nëse pinë ujin nga rezervuarët, janë infeksionet e ndryshme bakteriale”, tha ai.

E kimisti tjetër Lulzim Zeneli, thotë se temperatura ideale e ruajtjes së ujit është 15 gradë.

“Klorizimi është i domosdoshëm, në mënyrë që të garantohet kriteri mikrobiologjik, dhe kjo duhet të bëhet në përputhje me rekomandimet profesionale, (sasia e substancës/ vëllimi i ujit) ”, tha ai.