Rexhepi: Dokumentet e Kosovës të pafalsifikueshme
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, e ka përjashtuar mundësinë e falsifikimit të pasaportave ose dokumenteve të tjera personale të qytetarëve të Kosovës.
“Mundësia e falsifikimit ose vjedhjes është gati zero, që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë. Këtu është një përgjegjësi shumë e madhe, e cila lidhet edhe me procesin e liberalizimit të vizave, për arsye se, siç dihet, kërkohet siguria më e lartë e dokumenteve”, ka thënë Rexhepi gjatë vizitës në Departamentin e Prodhimit të Dokumenteve.
Ministri Rexhepi ka thënë se ky departament po e kryen punën e vet në mënyrë shumë profesionale dhe për këtë ka lavdëruar ekspertët vendorë. “Kosova ka numër të madh të ekspertëve, të cilët i kanë përgatitur programet e nevojshme dhe nuk është paraqitur nevoja për ekspertë të huaj”.
Minsitri Rexhepi tha se lëshimi i pasaportave biometrike do të fillojë pasi të jetë kompletuar regjistri civil. “Komisionit Evropian ne i kemi premtuar se do të fillojmë procedurat tenderuese më herët. Mirëpo, prodhimin e pasaportave biometrike do ta bëjmë pasi ta kompletojmë regjistrin civil, në mënyrë që të ketë validitet”, ka thënë ministri Rexhepi.