Rexhep Qosja: Pushteti i pakufizuar i mendjeve të kufizuara

Rexhep Qosja: Pushteti i pakufizuar i mendjeve të kufizuara

Rexhep Qosja: Pushteti i pakufizuar i mendjeve të kufizuaraNë 6-vjetorin e pavaresisë së Kosovës, akadmik Rexhep Qosja ka folur për emisioni Shqip te Rudina Xhunges në Top Channel.

Aty ai ka dhënë një vlerësim mbi gjendjen aktuale në vend. Ka folur edhe për personalitetet politike. Ka thënë se është e padrejtë të krahasohet figura e Ibrahim Rugovës me atë të Adem Jasharit.

Nuk e ka fshehur se është i zhgënjyer me Hashim Thaçin dhe se ka simpati për Mimoza Kusari-Lilën e Shpend Ahmetin. Ndërkohë, ka përkujtuar se Isa Mustafa ka qenë kuadër i Rrahman Morinës.

*Disa herë ju kam intervistuar në këtë studio dhe ju kam pyetur kryesisht për Shqipërinë, madje më ngjan se ju flisni më shumë për Shqipërinë sesa për Kosovën. Apo e kam gabim?

Qosja: Mund të jetë ashtu. Ju do të thoni, pse?! Shqipëria është një shtet 100 vjet dhe për një shtet që ka 100 vjet jetë mund të flitet më shumë, mund të flitet me qëndrim më kritik. Kosova është shtet i ri, 6 vjeçar dhe sigurisht duhet folur me më shumë kujdes, ndoshta dhe më butë, por nëse të këqijat politike shtohen, zgjerohen, thellohen atëherë edhe këtu duhet folur me gjuhë kritike të shkoqur.

*Në fakt, shkoqur dhe shqip do të doja të flisnim sot për Kosovën në një rrëfim për pavarësinë. Jemi në vitin e gjashtë të Kosovës shtet sot, në datën 17 shkurt. Do kishte shtet pa Rambuje duke u kthyer pak në kohë?

Qosja: Në perspektivën historike do të kishte shtet të Kosovës edhe pa Rambujenë. Kur një popull dëshiron të çlirohet, kur një popull dëshiron të bëhet i lirë, kur një popull dëshiron të krijojë një shtet, përvoja historike ka dëshmuar se këtë gjë do ta bëjë, në mos sot – nesër, në mos nesër – pasnesër. Megjithatë, Rambujeja është ngjarje shumë e madhe dhe vendimtare që ka vendosur për ardhmërinë e Kosovës, që do të thotë për pavarësinë e Kosovës.

*I kujtoni ato kohë duke ndaluar në rolin e jo gjithsecilit por në rolin e faktorit shqiptar. Ngjajnë të rralla çastet kur shqiptarët bëhen bashkë. Ishte një rast i tillë Rambujeja?

Qosja: Ishim më të bashkuar, më të pajtuar se herët e tjera më parë para dhe pas atij momenti. Megjithatë, edhe atëherë kishte disa dallime që u treguan në çastet vendimtare të Konferencës së Rambujesë, atëherë kur duhej të nënshkruhej marrëveshja mes palës shqiptare dhe palës serbe. Pra, edhe atëherë kishte disa mospajtime, disa ndryshime pikëpamjesh. Delegacioni i LDK-së ishte i gatshëm të nënshkruante çka do të na afrohej, ne të tjerët jo. *Pavarësisht Rambujesë, simbole të gjalla të cilat i njihen shtetit kosovar ose më së paku të cilat nderohen si të tilla, këto simbole janë dy, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. Kush është opinioni juaj në gjashtë vjetorin e Kosovës shtet për këto dy figura?
Qosja: Them se ky është një krahasim i gabuar, i padrejtë dhe historikisht i paqëndrueshëm. Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova janë figura të ndryshme, me jetëshkrime të ndryshme, me fate të ndryshme dhe me merita të ndryshme. Adem Jashari është një figurë e madhe historike vetë dhe figurë e madhe historike me familjen e tij. Adem Jasharin e bëri figurë të madhe historike jetëshkrimi i tij, nisma e tij, përkushtimi i tij. Ai ishte i pari që e nisi luftën çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i pari dhe u bë simboli rreth të cilit u mblodhën, i cili i mobilizoi, i afroi të tjerët për këtë luftë. Ibrahim Rugova ishte tjetër njeri dhe unë them se është e padrejtë dhe mëkat historik që të krahasohen këto dy figura. Ibrahim Rugova bënte një politikë partiake, të një partie, që, të mos harrojmë dhe s’duhet harruar, ishte e regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd…

*Domethënë janë simbole partiake sipas jush? Ibrahim Rugova është simbol partiak?

Qosja: Absolutisht partiak, ndërsa Adem Jashari është simbol kombëtar.E megjithatë edhe PDK shkon dhe i përulet varrit të Rugovës. Qosja: i shkon Thaçi por nuk mund të them që i shkon PDK-ja sepse PDK-ja si parti me të gjithë anëtarët e vetë nuk përkrah ato që bën Thaçi duke shkuar tek varri i Rugovës dhe vendosja e luleve te përmendorja e Rugovës. Këto nuk janë sjellje, veprime, gjeste që shprehin një qëndrim real, objektiv, të drejtë të Partisë Demokratike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

*A ka nevojë Kosova në këto gjashtë vjet shtet për ndarje, për qartësim figurash apo për lënie pas krahëve të çfarë është thënë e bërë dhe në një farë mënyre për një lloj bashkimi që shkon drejt bashkëpunimit?

Qosja: Ka një fjalë që e kanë thënë sociologë, filozofë, njerëz të mençur të Evropës, të cilët e kanë thënë kaherë dhe Evropa këtë e ka zbatuar. Duhet të ndahemi që të bashkohemi. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se të vërtetat duhet të thuhen ashtu siç janë. Thonë se e vërteta i bashkon njerëzit, gënjeshtra i ndan, i përçan…

*Megjithatë edhe ju e dini që merrni mbi vete shumë kritika në momentin që kritikoni Rugovën dhe jeni i vetëdijshëm për këtë.

Qosja: Po, sigurisht. Unë shkruaj siç është e drejta dhe e vërteta. Unë kam parime në jetë. Unë nuk jam bërë shkrimtar për të marrë honorare, nuk jam bërë shkrimtar për mirëqenie personale. Unë jam bërë shkrimtar për të thënë të drejtën dhe të vërtetën, për t’i shërbyer të drejtës dhe të vërtetës. Është obligim i imi ndaj popullit shqiptar, është detyrë e imja, është përkushtimi im ndaj popullit tim që t’ia them të drejtën dhe të vërtetën pavarësisht pasojave. Unë paguaj një çmim të shtrenjtë për të drejtën dhe të vërtetën që e them por do ta them atë deri në vdekje pavarësisht çmimit. Dhe jam shumë i bindur se ato që them unë do të dëshmohen, do të vërtetohen, do të pranohen…

*A mund të themi sot gjashtë vjet pas shpalljes së Kosovës shtet se ishin shqiptarët që e merituan çlirimin e Kosovës, pavarësimin e Kosovës apo në fund të fundit ishte një produkt i ndërkombëtarëve dhe gjeopolitikës?

Qosja: Ka një mendim që nuk pranohet lehtë. Ne jemi mësuar, duke u nisur prej ideologjisë dhe politikës komuniste, të mendojmë se populli i bën të gjitha, populli e sjell çlirimin, populli e krijon shtetin. Por, mendimtarë e kanë thënë dhe e thonë se historinë e ndërrojnë elitat e një populli sepse ato prodhojnë idetë, ato prodhojnë nismat dhe ato me idetë dhe nismat e tyre e ndërrojnë historinë sepse mobilizojnë edhe ato forca që duhen për ta ndryshuar historinë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në fillim kishte pak përkrahës dhe intelektualët që e mbështesnin numëroheshin me gisht,e ata që ishin kundër thoshin – nuk mund të bëjmë asgjë, Serbia është shumë e fortë, do na shkatërrojë – UÇK, pra, e nisi këtë ndryshim të pozitës historike të popullit shqiptar. Kjo është, pra, merita e UÇK-së, e atyre që e përkrahën dhe, po ta përgjithësojmë mendimin, do themi meritë e popullit shqiptar. Por duhet të jemi realë, objektivë, të drejtë, të sinqertë para vetes dhe të tjerëve dhe të themi se qëllimin e fundit shqiptarët do ta arrinin me vështirësi të madhe dhe me shumë vonesë nëse nuk do të ishte faktori ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë, sikur të mos ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me gjuhën e popullit thuhet, deshi Zoti…

*Të lirë, të çliruar, të pavarur por më të varfër dhe më të korruptuar. A mund ta pranojmë këtë?

Qosja: Mjerisht po. Ata që kanë luftuar dhe ata që kanë përkrahur luftën e kanë menduar Kosovën pak më ndryshe nga ç’është sot, me disa parti të cilave nuk iu takon një e drejtë historike, politike të flasin e të sillen siç po sillen dhe me disa dukuri të dhembshme që sjellin dhembje, shqetësim dhe dëshpërim. Këto dukuri, po t’i theksoj qartë, janë, e para, korrupsioni, korrupsioni i përshtrirë, korrupsioni i përthelluar. Thuhet se kur korrupsioni përshtrihet shumë, përthellohet shumë, që përfshin shumë subjekte, ai korrupsion bëhet i përhershëm dhe nuk mund të parandalohet. Kam drojë se jemi në atë gjendje kur niveli i korrupsionit është rritur, është thelluar, është zgjeruar aq shumë sa nuk mund të parandalohet, nuk mund të mënjanohet. Problemi i dytë, për keqardhje të madhe, dëshpërues, pikëllues, është krimi i organizuar që sjell shumë probleme dhe pasiguri të madhe. Shumë njerëz ndihen të pasigurt në kushtet e një krimi të organizuar se çfarë do të ndodhë me ta, me anëtarët e familjes së tyre, me pronën e tyre, me miqtë e tyre dhe me njerëz të tjerë. Dhe problemi tjetër i tretë, për keqardhje të madhe është nepotizmi, që në shqip i themi familjarizmi në politikë. Ne mund të themi sot se politika shqiptare në Kosovë është politikë familjare dhe politikë miqësore…. Mund të thuhet sot lirisht se prestigji i figurave politike në Kosovë sot është mjaft i fundosur.

*I të gjitha figurave politike apo kryesisht i figurave të dala nga lufta që patën simpati të madhe dikur?

Qosja: Unë them i pjesës më të madhe të figurave politike të këtyre që janë në pushtet, por sidomos ka rënë shumë prestigji i figurave politike me prejardhje prej Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës. Kjo është një e vërtetë e hidhur por që është e vërtetë. Ashtu ndjehet numri më i madh njerëzve, ata kanë një mosdurim për ta dhe këtë e them mjerisht.

*Kjo do të thotë se shumë shpejt njerëzit që dolën nga lufta pritet që… për shembull, njëri prej tyre ishte Agim Çeku i cili humbi në Prishtinë, përkundrejt një djali të Vetëvendosjes. Ju duk juve e çuditshme kjo? Ju e keni mbështetur Çekun në mos gaboj.

Qosja: Po, e kam mbështetur sepse Çeku është një prej figurave të dala nga lufta. Sot, Agim Çeku me Bajram Rexhepin janë, mund të them, figurat politikisht më të pastra, pa ngarkesat që kanë disa figura të tjera politike të dala nga lufta. Agim Çekun, Bajram Rexhepin, nuk mund t’i ngarkoj me disa mëkate që mund të ngarkohen disa të tjerë, me disa të tjerë që janë pasuruar në mënyrë marramendëse për një kohë të shkurtër. E dëgjuam para disa ditësh Ambasadorin Gjerman i cili tha se pasuria e disa figurave politike nuk mund të jetë krijuar me rrogat e tyre, por me mënyra të tjera të ndryshme që populli i quan, që unë i quaj, të papranueshme, të patolerueshme, të padrejta, korruptive, të dënueshme ligjërisht.

*Dua të ndaloj edhe pak tek elita por më parë një ndërprerje për protestat. Shqiptarët e Kosovës ngjajnë më reaktivë se shqiptarët e Shqipërisë në mënyrën sesi reagojnë. Më kanë bërë gjithmonë përshtypje studentët e Universitetit të Prishtinës, madje edhe kësaj radhe në një protestë të gjatë që solli dorëheqjen e rektorit Gashi. Ju u bëtë me rektorin. Si ka mundësi?

Qosja: Unë bëra një artikull me titullin “Fushata kundër rektorit Ibrahim Gashi”. Unë nuk e kuptova atë fushatë. Ibrahim Gashin, pasi i njoh të gjithë rektorët e Prishtinës prej të parit Dervish Rozhajës e deri te ky, e kam takuar dy herë nga pak minuta. Unë kam parë paraqitjen e tij, sjelljen e tij, vendimet e tija, gjykimet e tija që bëheshin publike, dhe për mua Ibrahim Gashi ishte njëri prej rektorëve më të mirë të Universitetit të Prishtinës, pa njolla në jetëshkrimin e tij politik, shoqëror, kombëtar. Ai ka bërë një libër për luftërat ballkanike për të cilin kam folur dhe për mendimin tim, pasi unë jam marrë me luftërat ballkanike kur kam shkruar librin “Çështja shqiptare, historia dhe politika”, është libri më i mirë për këto luftëra deri sot me mbi 70 faqe vetëm për dhunën, terrorin, krimet që kanë bërë ushtria dhe paramilitarët serbë në Kosovë në vitet 1912-1913. Pra, mbi 70 faqe të gjendura në dokumentet e Austrisë dhe arkivave të vendeve të tjera evropiane. Një libër mjaftueshëm për t’u quajtur ai profesor ordinar i Universitetit të Kosovës. E akuzuan se paska botuar disa shkrime në një revistë indiano-amerikane gjoja të paqenë. Pse u çuan kundër Ibrahim Gashit? Sepse ai nisi reformën në Universitet, sepse nisi të shikojë si ka qenë ecuria e fitimit të doktoraturës, magjistraturës, diplomimit në Universitet, si janë pranuar këta studentë në universitet, si janë bërë disa profesorë ordinarë, akademikë, ligjërues në Universitet. Kjo gjë i frikësoi ata në Universitet dhe partitë politike eorganizuan atë fushatë kundër tij. Nuk ishte protestë por ishte demonstratë shumë e vrazhdë dhe duhet të dini se në të kishte më pak studentë dhe shumica prej tyre ishin anëtarë të partive, militantë të partive dhe të këtyre organizatave joqeveritare dhe Grupit Koha që treguan një fytyrë që shumica nuk e kishin imagjinuar të tillë, një fytyrë që në atë demonstratë doli e shëmtuar. Ata thanë çfarë nuk ishte e vërtetë, bënë çfarë nuk ishte e drejtë dhe gjithë këtë e bënë në mënyrë të vrazhdë…. Dhe në këto demonstrata Vetëvendosja tregoi një fytyrë po ashtu agresive. Unë kam drojë se Vetëvendosja ka pësuar një zhvillim të papranueshëm në kushtet e demokracisë, ka pësuar një zhvillim të cilin po e përdor me mjete, metoda që i përdor partia e ndaluar në Greqi, Agimi i Artë…

*Një tjetër njeri që ka lënë përshtypje shumë pozitive, një zonjë, është Mimoza Kusari Lila. Edhe ajo një befasi e fushatës, e pritshme gjithsesi sepse me ç’duket ajo ka pasur gjithmonë mbështetje në vendet ku ka drejtuar. Juve ju ngjan një mundësi më e mirë për zonjat, kjo zgjedhje e Mimoza Kusari Lilës apo është thjesht personale?

Qosja: Unë as Shpend Ahmetin dhe as Mimoza Kusari Lilën nuk i kam takuar kurrë dhe pas zgjedhjeve fola mirë për të dy. Mimoza Kusarin e kam parë në paraqitjet e saj publike dhe e kam përcjellë fushatën e saj në Gjakovë dhe fjalën e saj ditën e fundit të fushatës, që ishte një fjalim i shkëlqyeshëm. A e ka shkruar vetë apo me ndihmën e dikujt atë nuk e di, por di që ishte një fjalim i shkëlqyer, me fjalë të thëna në vendin e duhur në mënyrën e duhur. Unë Mimoza Kusarin, që nuk e kam takuar kurrë, e kam perceptuar si një zonjë e cila vishet në mënyrë normale, e cila paraqitet në mënyrë normale dhe e cila flet në mënyrë normale. E kam perceptuar dhe e perceptoj si një zonjë e cila e di çfarë është masa sado ne shqiptarët shpesh e kalojmë masën, shkojmë larg masës, ajo e di çfarë është masa dhe nuk e kalon atë. Prandaj unë, në fjalën time për zgjedhjet, thashë se Kosovës i duhen njerëz të politikës si Mimoza Kusari – Lila dhe Shpend Ahmeti. Para jush po e them se dëshiroj të mos më dëshpërojnë as Mimoza Kusari Lila dhe as Shpend Ahmeti.

*Kjo më ç’duket është edhe jeta, edhe politika, pëlqen dhe zhgënjehesh. Hashim Thaçi, ju ka zhgënjyer profesor?

Qosja: Më ka zhgënjyer. Unë kam qenë në Rambuje me Hashim Thaçin, më pas kam qenë gati një vit e gjysmë në administratën e Kushnerit me Hashim Thaçin dhe Rugovën dhe tani nuk mund të them se nuk jam i zhgënjyer nga sjelljet e tij. Hashim Thaci ka disa iluzione që gjithmonë, si të gjitha iluzionet, janë të dështuara në politikë. Hashim Thaci ka dhjetë vjet që bën fushatë elektorale pa thënë gjë reale, objektive, që bën përshtypje, që përcakton ide, mendime, nisma, që sjell vizione dhe tani, në zgjedhjet e fundit, me fushatën që bëri, foli për veten dhe partinë e vet dhe jo për të tjerët, për partitë e tjera, për meritat dhe mosmeritat e tyre. Praktikisht fitoi më pak se ç’mendonte Partia Demokratike dhe humbi disa qytete. Kam drojë se po vazhdoi me fushata të tilla, me atë gjuhë, ai do humbë edhe zgjedhjet e përgjithshme. Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij të Partisë Demokratike që ka 13 vjet, tani kemi hyrë në vitin e 14, që nuk duan t’i thuan popullit të Kosovës në fushata apo jashtë Kosovës, kush është kush në Kosovë. Ai i bënte me meritë njerëzit që nuk kishin meritë. Ibrahim Rugova kishte humbur kontrollin në vitet e fundit të jetës së tij dhe lejohem ta them pa ngurrim se kishte humbur kontrollin e gjykimit, ai nuk ishte realisht në gjendje të gjykonte, duke pirë viski dhe verë vend e pavend, duke i përzier pa pushim, vazhdimisht. Ai nuk mund të ishte njeri racional. Ai bënte një politikë të gabuar, aq të gabuar sa nuk donte të pranonte studentët që të flisnin me të, saqë për tragjedinë e Adem Jasharit, në Mbledhjen e Kryesisë së LDK-së të kryesuar prej tij, tha se tragjedia e Jasharëve vdekja e Adem Jasharit ka gëzuar serbët dhe shqiptarët. Dhe këtë e kanë thënë edhe individë që kanë qenë prezent në atë mbledhje. Hashim Thaci nuk i thotë popullit cila ishte politika dhe çfarë i solli politika e LDK-së Kosovës. Ajo politikë përuli popullin dhe do t’i sillte Kosovës robërinë, pushtimin prej Serbisë edhe 1000 vite të ardhshme. Ai nuk i thotë popullit kush ishte Isa Mustafa që sot po e provokon rëndë partinë Demokratike të Kosovës dhe partitë e tjera, i cili tani ka dalë me aspiratat se do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

*Provokim është ky? Nuk është e drejta e tij kjo të aspirojë?

Qosja: Jo, nuk është e drejtë e tij hiç. Ka disa njerëz të cilëve iu ka kaluar koha dhe koha e Isa Mustafës ka kaluar, ka marrë fund. Ai ishte një njeri i kohës së tjetër, ishte njeri i kohës së Rrahman Morinës dhe Millosheviçit. Isa Mustafa ishte kryetar i rinisë socialiste të Kosovës para viteve ’80. Isa Mustafa ishte njeri i caktuar prej partisë për të këqyrur sado, kudo zhvillimet në konviktet e studentëve dhe mensën e studentëve. Isa Mustafa në vitin 1984 apo 1985 u bë kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës dhe kjo donte të thoshte kryetar i qeverisë së Prishtinës dhe ai kryetar ndante të ashtuquajturat banesa të solidaritetit. Partia kishte organizuar ndërtimin e banesave për ata që nuk kishin banesa, për të varfrit që nuk kishin ku jetonin. Kam të dhëna se asnjë banesë, në vitin 1985, nuk iu është dhënë shqiptarëve. Kjo qeveri e Prishtinës në krye me Isa Mustafën, ka nxjerrë në Fushë Kosovë shqiptarë prej banesave dhe në to ka futur serbët. Isa Mustafa, si kuadër i Rrahman Morinës dhe i Millosheviçit, u bë ministër në qeverinë e Kosovës dhe ajo qeveri shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë në të cilën u vranë djem të Kosovës. Tani, ky njeri, ky zyrtar, ky nëpunës, ky politikan i asaj kohe, i atij terrori dhune mbi shqiptarët, ky politikan i përzgjedhur prej Rrahman Morinës dhe Rrahman Morina nuk bënte zgjedhje pa pajtimin e Millosheviçit, të bëhet kryetar i Partisë Lidhja Demokratike, dhe kryetar i Prishtinës? Ky është një cinizëm i rëndë, kjo është një fyerje e Kosovës, kjo është një fyerje e vetëdijes, e ndërgjegjes dhe e kombëtarizmit të Kosovës. Ky njeri ka rënë në provim. Çfarë kërkon tani? Të bëhet kryeministër i Kosovës? Ky njeri, që ka kryer ato detyra dhe i ka kryer në atë mënyrë që i ka kryer, kërkon sot të bëhet kryeministër? Të jetosh në Kosovë po të fitojë ai, nuk ia vlen, është fyerje!

*Atëherë, si do ia vlente Kosova, me një vazhdimësi, me një zgjedhje të fituar nga PDK-ja, përsëri Thaçi kryeministër apo ka ardhur koha e fytyrave dhe figurave të reja?

Qosja: Ka ardhur koha e figurave të reja. Ka ardhur koha të bëhen ndërrime të përgjithshme. Populli thotë se disa janë bërë bajat, është bërë tepër kohë për disa tek të cilët ka humbur besimi i njerëzve, besimi tek politika e tyre, sjellja e tyre, etika e tyre. Pika më e dobët e politikës sonë është mungesa e etikës, mungesa e të drejtës, mungesa e të vërtetës, ka ardhur koha për njerëz të tjerë, për njerëz të rinj. Këta masivisht kanë mënjanuar njerëzit e moshës së mesme dhe njerëzit e moshës së vjetër.

Në çdo politikë në këtë botë respektohet një bashkim i gjeneratave në politikë, këta kanë mënjanuar të gjithë ata të moshës së mesme dhe të vjetër pavarësisht prej meritave të tyre sepse janë frikësuar nga autoriteti i tyre. E po tani është koha të pushojnë këta, dhe të vijnë njerëz të tjerë në politikë. Kjo nuk do të ndodhë sepse njerëzit tanë kapen pas politikës si ai luftëtari grek që kapet pas anijes dhe nuk ka gjë që ia shkoq dorën përpos shpatës.

Do ta shohim çfarë do ndodhë, por unë nuk shoh ndryshime dhe nuk kam parashikim se kush mund të fitojë. Mund të ndodhë që të fitojë edhe LDK-ja në sajë të të gjitha atyre që i bën kryetari i tanishëm i LDK-së. Ai erdhi në krye të LDK-së duke përdorur të rinjtë, një numër të madh të këtyre të rinjve të cilët kohën e tyre e kalojnë nëpër rrugët e Prishtinës dhe që përmbysën një njeri me merita, me një përbërje politiko-etike të pranueshme dhe të çmuar, Fatmir Sejdiun. (Bisedën e zhvilloi Rudina Xhunga. U mor nga Televizioni Top Channel).