Jetmir Idrizi_foto tex kryesor_291790_thumb_large

Revoltohen punëtorët

Punëtorët e ndërmarrjes NBI “Suhareka” janë revoltuar ndaj privatizuesit, për mospërmbushje të zotimeve. Ata kërcënojnë se do të hyjnë dhunshëm në lokalet e ndërmarrjes. Për të njëjtin qëllim, AKP-ja kishte dënuar privatizuesin me 3.1 milionë euro.

Punëtorët e ndërmarrjes NBI “Suhareka”, e privatizuar me spin-off special, kanë vendosur të marrin drejtësinë vetë në dorë. Ata kërcënojnë me hyrje në lokalet e ndërmarrjes, pasi institucionet e drejtësisë nuk po e zgjidhin problemin e tyre tash e disa vjet. Në këtë mënyrë, ata thonë se po e shpëtojnë ndërmarrjen nga shkatërrimi. Kjo ishte edhe arsyeja pse Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte gjobitur me 3.1 milionë euro privatizuesin e kësaj vreshtarie.

E në tenderin për privatizim të kësaj ndërmarrjeje kishin marr pjesë edhe menaxhuesit e ndërmarrjes së bashku me punëtorët.

Por pas dy vitesh pritjeje, atyre u ka humbur durimi. Punëtorët kanë paralajmëruar të gjitha instancat e pushtetit në Kosovë, si dhe Policinë e Kosovës se më 23 gusht do të lajmërohen në vendet e tyre të punës në ndërmarrjen ‘NBI Suhareka’.

Sindikata e pavarur e kësaj ndërmarrjeje ka marrë këtë vendim më 8 gusht, pas zvarritjes së tepërt të çështjes së tyre nga Gjykata Supreme e Kosovës. Vendimin e tyre ata e kanë arsyetuar me shpëtimin e ndërmarrjes, siç thonë ata, nga ‘kriminelët dhe plaçkitësit’.

Sipas tyre, privatizimi i papërgjegjshëm nga ish AKM-ja e ka shkatërruar këtë ndërmarrje dhe ka lënë në rrugë qindra punëtorë.

Për më tepër, pretendojnë se me privatizim, kanë qenë fitues të tenderit me shifrën P197 dhe i kanë plotësuar të gjitha kushtet për t’u kualifikuar si fitues të përkohshëm. Sindikalistët e kësaj ndërmarrjeje vendimin e OVGJKS-së e kanë apeluar te Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe iu janë drejtuar me nga një shkresë të gjitha institucioneve që të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të tyre.

Fazli Morina, drejtor i vreshtarisë në këtë ndërmarrje, thotë se janë detyruar të ndërmarrin këtë veprim për ta shpëtuar ndërmarrjen nga shkatërrimi i mëtutjeshëm. Ai thotë se janë shkatërruar qindra hektarë me vreshta si dhe bodrumi i verës, nga ‘QMI Fantinelli’, blerës i kësaj ndërmarrjeje.
“Zotimet për investime dhe punësim nuk janë përmbushur as përafërsisht. Për më tepër, kanë shkatërruar vreshta dhe bodrumin e verës. Në kohën e privatizimit, kjo ndërmarrje është shitur me 650 hektarë vreshta. Tani po thuaj janë shkatërruar nga plaçkitësit”, thotë ai për ata që e menaxhojnë aktualisht ndërmarrjen.

I pyetur për vendimin e Odës së Veçantë për çështjen, Morina është shprehur se ai është një vendim jomeritor. “Është vendim gjysmak dhe nuk ka marrë për bazë faktet dhe dëshmitë që ka pasur në dispozicion. Për këtë arsye, ne e kemi apeluar dhe jemi ankuar edhe në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi thotë se janë njoftuar nga Gjykata Kushtetuese dhe sindikalistët e NBI Suhareka për vendimin e tyre për t’u paraqitur të gjithë në punë më datën 23 gusht. Ai thotë se në bazë të Ligjit të AKP-së, Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme është ajo që i trajton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me privatizimin dhe AKP-në.

“AKP-ja ka pranuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës një njoftim nga Sindikatat e Pavarur e Punëtorëve e Ndërmarrjes NBI Suhareka, përmes së cilës, punëtorët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë vlerësimin e një Aktgjykimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Dihet se, sipas Ligjit të AKP-së nr. 03/L-067, Dhoma e Veçantë ka juridiksion ekskluziv për të gjitha paditë kundër Agjencisë”, thotë Kaloshi.
Ai ka bërë të ditur se AKP-ja brenda afatit të paraparë do ta shqyrtojë njoftimin lidhur me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.

Zëdhënësi Kaloshi ka thënë për Express se edhe NBI Suhareka është njëra nga spin-ofet speciale, e cila qëndron dobët me përmbushjen e zotimeve. Për mospërmbushjen e zotimeve, kjo ndërmarrje është gjobitur me 3.1 milionë euro nga AKP-ja. “Ndërmarrja ‘NBI Suhareka’ është në mesin e disa ndërmarrjeve, ku blerësit kanë mbetur mbrapa në realizimin e obligimeve kontraktuese për investime në ndërmarrje dhe për punësim. AKP-ja konform përmbushjes apo mospërmbushjes së zotimeve nga ana e blerësve, ka aplikuar edhe masat ndëshkuese edhe për blerësin e kësaj ndërmarrjeje dhe deri në fillim të këtij muaji janë shqiptuar gjoba në shumën 3.1 milionë euro”.

Përkundër përpjekjeve dyditore për të kontaktuar pronarët aktualë, Expressi nuk ka mundur të kontaktojë pronarin Aziz Tafa.

Ndryshe, NBI “Suhareka ishte privatizuar me spin-off special në vitin 2006, nga ish AKM-ja. Veprimtari kryesore e kishte kultivimin e hardhisë dhe kultivimin e rrushit.