Restaurohen letrat e Hemingway

Restaurohen letrat e Hemingway

Korrespodencat e shkrimtarit të njohur Ernest Hemingway me personalitete të ndryshme, kanë nisur të restaurohen. Përpos rëndësisë së ruajtjes së këtyre letrave, restaurimi i tyre po zbardh edhe shumë detaje të panjohura deri më tani për shkrimtarin.

Në njërën nga letrat e gjetura e të restauruara është edhe ajo e aktores Ingrid Bergman, e cila në vitin 1950 i ka shkruar Hemingway nga Roma e Italisë.

“Do të kujtoj njerëz si ju dhe do ta harroj pjesën tjetër të botës”, kishte shkruar aktorja në letrën drejtuar shkrimtarit. Gjashtë dekada më vonë një ekip ekspertësh i kanë hyrë punës për të ruajtur atë pjesë të trashëgimisë së shkrimtarit.

Restaurimi i letrave po bëhet në një laborator në New England. Myku, kakërdhitë e minjve dhe lagështia janë paraqitur gjithmonë si problem për Bibliotekën dhe Muzeun JFK në Boston, e cila kishte tentuar të ruante nga dëmtimi letrat të cilat po prisheshin. Të nxjerra nga kutitë ku janë ruajtur, aty kanë qenë mijëra letra të cilat janë dërguar për në Qendrën e Konservimit të Dokumenteve, baza e së cilës ndodhet në verilindje të Andover. Qendra është një organizatë jofitimprurëse, e cila ka marrë në dorë edhe procesin e gjetjes së letrave të tjera që mund të jenë në bibliotekë. Kjo qendër ka restauruar edhe letra të Abraham Lincoln dhe  të George Washington.

Walter Newman, drejtor i qendrës, ka thënë se qëllimi i këtij projekti është mbi të gjitha ndalja e degradimit të letrave të shkrimtarit. Ekspertët e qendrës kanë kërkuar 18 muaj kohë që krejt puna e përzgjedhjes së letrave të përfundojë. Drejtuesja e këtij grupi të ekspertëve, Claire Grund, ka thënë se ekipi po mundohet që fillimisht të bëjë një përzgjedhje të letrave. Deri më tani në procesin e restaurimit kanë hyrë më shumë se gjysma e 7 mijë e 500 letrave, kostoja e të cilave deri më tani ka kapur shumën prej 5 mijë dollarëve. Krejt projekti i përfundimit të restaurimit, sipas ekspertëve, mund të marrë kohë deri në tre vjet dhe pritet të kushtojë në tërësi plot 300 mijë dollarë. Është hapur edhe një fondacion për të mundësuar sigurimin e mjeteve, i cili menaxhohet nga biblioteka dhe muzeu JFK. Ishte pikërisht presidenti amerikan i cili pas vetëvrasjes së shkrimtarit në vitin 1961, kishte marrë gruan e katërt të Hemingway dhe kishin shkuar në Kubë, për të kërkuar dokumentet e shkrimtarit dhe pasurinë e tij. Këtu ishin gjetur edhe letërkëmbimet, të cilat ishin sjellë në Boston rreth 40 vjet më parë.