Reagon Hasani: S'jam besnik i Thaçit

Reagon Hasani: S’jam besnik i Thaçit

Reagon Hasani: S'jam besnik i ThaçitGazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), më 27 korrik 2014, botoi shkrimin me titull: “Çdo gjë, apo asgjë”, me autor Michael Martens.

Në këtë shkrim, në paragrafin e fundit të tij, është përmendur edhe emri i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, si i “anshëm” në rastin e vendimmarrjes për çështjet aktuale të cilat gjendeshin në gjykim e sipër në Gjykatën Kushtetuese, njofton GJK.

Ndaj këtij shkrimi ka reaguar kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, të cilin reagim e njëjta gazetë (FAZ) e ka botuar më 6 gusht 2014, me titull: “Pa ndikime politike”, njofton GJK.

Ja reagimi i Hasanit:

Pa ndikime politike

Në artikullin e FAZ-it, “Çdo gjë, apo asgjë”, të 27 korrikut 2014, gazetari juaj, z. Michael Martens, bën komentet si në vijim për mua dhe për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës:

“Gjykata Kushtetuese, kryetari i së cilës, Enver Hasani, konsiderohet si besnik i Thaçit, PDK-së i dha përkohësisht të drejtë me vendim për masë të përkohshme. Tani, të gjithë janë në pritje të vendimit përfundimtar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

Në këtë mënyrë, artikulli i sugjeron lexuesit tuaj një lidhje të përmbajtjes së vendimit të Gjykatës për masë të përkohshme në rastin Nr. KO119/14 dhe konsideratave politike në favor të një partie të caktuar, ose të liderit të kësaj partie.

Një aludim i tillë është arbitrar dhe i pakuptimtë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 112, paragrafi 2, e obligon Gjykatën Kushtetuese për pavarësi të plotë në kryerjen e detyrave të saj. Në përputhje me këtë mandat kushtetues, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, si dhe unë në kapacitetin tim si Kryetar i Gjykatës, ushtrojmë detyra që na janë besuar, të lirë nga çdo ndikim politik ose nga çdo ndikim i llojit tjetër.

Gjykata Kushtetuese respekton në plotni lirinë e shprehjes dhe të shtypit, por pret që aludimet e tilla të jenë të justifikuara në mënyrë adekuate.