|

RDK i thotë jo koalicioni me PDSH-në dhe LSDM-në

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) sot ka konfirmuar qëndrimin e saj se nuk do të jetë pjesë e koalicionimit me PDSH dhe LSDM.

“RDK konfirmon qëndrimin e saj se është për bashkëpunimin e partive parlamentare shqiptare për të shtruar dhe zgjidhur një herë e përgjithmonë statusin juridiko-kushtetues te kombit shqiptare në Maqedoni. Kjo zgjidhje varet nga ky bashkëpunim që është larg për tu bërë realitet përderisa BDI dhe PDSH nuk janë vetëm konkurrentë politikë, por janë transformuar në armiq politikë dhe vazalë të VMRO-së, gjegjësisht LSDM-së.

RDK është parti opozitare dhe në këtë drejtim ka besuar dhe punuar në bashkëpunimin e opozitës shqiptare si mundësi për fitoren e opozitës. I mbetet elektoratit të PDSH-së ta kuptojë drejt se ekzibicionet dhe absurditetet e vazhdueshme të politikëbërjes së kësaj partie ishin shkaktarë për prishjen e këtij bashkëpunimi”, theksoi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.

Sipas tij, koalicioni LSDM – PDSH është një koalicion interesi konjuktural pa kurrfarë platforme politike dhe realizohet në komunat ku këto dy parti rrezikojnë të jenë humbëse nëse dalin vet në zgjedhje.

“Nëse do të ishte koalicion i vërtetë ndëretnik ai duhej te bazohej në një platformë të përbashkët duke dhënë përgjigje për sfidat ndëretnike në kuptim të kompetencave lokale dhe do të përfshinte komunat me popullatë të përzier ku gjasat për fitore janë te barabarta në mes të kandidateve shqiptarë dhe maqedon si rasti me komunën e Strugës dhe të Kërçovës dhe ne me tepër komuna rurale ne vend”, theksoi Osmani.

Ai paralajmëroi se në zgjedhjet lokale të marsit të vitit 2013, RDK do të garojë si pjesë e koalicionit me DR-në, BDSH-në dhe subjekte të tjera politike dhe jopolitike në bllokun shqiptar, me të cilat do të arrijë marrëveshje elektorale.

“Mbi 50 mijë vota të këtij koalicioni dhe grupimeve tjera joqeveritare dhe politike do të jenë vendimtare në shumë komuna, në veçanti në rrethin e dytë zgjedhor, me ç`rast do të zhbëhen tezat se RDK është parti me synime lokale dhe pa ndikim në planin nacional”, deklaroi kreu i RDK-së.

Sipas tij, intrigat e reja për do farë dosjesh për ta kushtëzuar të Rufi Osmanit janë pjellë naive e shërbimeve të strukturave shtetërore dhe te partive politike te cilave ju pengon paraqitja në skenë e RDK –se .

”RDK ka agjendën e aktivitetit të vet politik. RDK-së nuk i interesojnë kandidaturat e shpallura të partive tjera, të opozitës apo të pozitës, dhe nuk e ndjen të nevojshme t’u jap përgjigje politikanëve ekzibicionistë, të cilët nuk dinë as vet se cilat qëndrime politike i kanë pasur dje, sot dhe nesër”, deklaroi Osmani.

Kreu i RDK-së ka folur edhe për qeverisjen njëvjeçare të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI.

Kjo parti ka radhitur disa dështime duke theksuar asnjë post të rëndësishëm qeveritar për shqiptarët, devalvimin e ligjit për gjuhët, talljen me ligjin për ish-luftëtarët e U]K-së, keqpërdorimi dhe skenarët rreth rastit “Monstra” dhe vrasjes së pesëfishtë, zvarritja e gjykimit për policin vrasës në Gostivar, incidentet dhe rrahja e shqiptarëve, përdorimi i librave ku fyhen shqiptarët, miratimi i ligjit diskriminues për flamurin, mosrespektimi i parimit të përfaqësimit të drejtë, mungesa e investimeve në zonat shqiptare dhe çështje tjera.

“Tkurrja e pretendimeve të funksionarëve të BDI-së për buxhet proporcional prej 25 për qind për investime kapitale, në vetëm 1 për qind të parapara për shqiptarët në vitin 2012, në veçanti pas ribalancit të buxhetit, manifeston kulmin e dështimit politik, me pasoja të rënda për interesat ekonomike dhe zhvillimore të popullit shqiptar në Maqedoni”, theksoi Osmani, duke shtuar se Qeveria po mashtron shqiptarët edhe rreth zonave të lira ekonomike, transmeton INA.

RDK ka shprehur shqetësime dhe reagoi kundër Qeverisë edhe për dështimin e saj në planin e politikës së jashtme dhe procesin e integrimeve evroatlantike. “Politikat alternative të Qeverisë aktuale për gjetjen e partnerëve politikë dhe ekonomikë në Kinë, Indi dhe Rusi janë të dënuara të dështojnë”, nënvizoi kreu i RDK-së.

1 përgjigje për “RDK i thotë jo koalicioni me PDSH-në dhe LSDM-në”

  1. rami says:

    Eshte i nevojshem nje bashkim i te gjitha partive dhe shoqatave politike per kalimin e ketyre situatave qe shkaktohen nga njerez qe nuk ua duan te miren edhe femijeve te vet, e lere ma popullit.
    Deri kure shqiptaret do ti shajne shqiptaret,kur do te gjendet nji shqiptar qe do ti kenaq te gjith dhe tua plotesoje te gjitha deshirat shqiptarve te pa kenaqur.Ne nje kohe ne kosove doli Ibrahim Rugova si lier i shqiptareve,njerzit filluan ta lavderonin per nji kohe ,mbas tij ne skene u paraqit Hashim Thaci si udheheqes i UCK se Kosoves dhe lider i PDK.Njerzit filluan ta lavderojne Thacin, ta shajne Rugoven.Ne Maqedoni si lider i shqiptareve doli Nevzat Halili,kryetar i PPD,njerzit filluan ta lavderojne dhe respektojne.Pas tij ne skene doli Arben Xhaferi si kryetar i PDSH-se,njerzit filluan ta shajne Nevzat Halilin ta lavderojne Arben Xhaferin.Pas tyre ne skene del dr.profesor Fadil Sulejmani njeriu qe bashke me mendimtaret e tij hapen univerzitetin e tetoves,njerzit filluan ta lavderojne,pas nje kohe te shkurter filluan ta shajne dhe ta injorojne.Pas ketyre burave dalin ne skene edhe njerez tjere pa mare para sysh kush eshte, filluan sharjet,shpifjet,intrigat,vjedhjet e keshtu me radhe.E pyes veten por edhe juve lexues te nderuar:Deri kure na shqiptaret do te meremi me sharje dhe percarje?, kur te tjere meren me unitet dhe bashkim, kur vjen interesi i populit te tyre. Pse ne nuk e respektojme njeri tjetrin,pse ne nuk i ndihmojme njeri tjetrit qe bashkerisht t’i kalojme keto sfida dhe probleme ne interes tonin dhe femijve tone.Ju lutem lexues te nderuar, a mund dikush te tregoje se cka fitohet me sharje dhe percarje, ne interes te kujt shkojne,kush i prodhon dhe i manaxhon keto ndarje dhe percarje?.Vellezer te nderuar shqipetare, bashkimi jone eshte me se i nevojshem ne kete kohe,per aresye se tjeret bashkohen kunder popullit tone,e pse ne nuk duhet te bashkohemi per t’i mbrojtur intereset tona te pergjithshme.Bashkimi ben fuqine,percarja sjell trdhetine.

Komentoni