Ramë Buja barrën për rektorin ia lë Senatit

Ramë Buja barrën për rektorin ia lë Senatit

Ramë Buja barrën për rektorin ia lë SenatitKomisioni Parlamentar i Arsimit i ka kërkuar ministrit të Arsimit, Ramë Buja, që të ndërmarrë hapa sa më të shpejtë konform kompetencave ligjore që ka, në mënyrë që të qartësohet situata në Universitetin e Prishtinës.

Ministri Buja, duke raportuar para Komisionit, kërkoi që t’i lihet kohë Komisionit të formuar nga Senati i Universitetit të Prishtinës, të bëjë punën e tij dhe të dalë me rezultate konkrete.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ramë Vataj, tha se ndikimi i politikës në institucionet e arsimit të lartë ka qenë i pashmangshëm nga vetë fakti që katër anëtar të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës janë emëruar nga Ministria e Arsimit. Ai në emër të Komisionit kërkoi nga ministri i Arsimit, Ramë Buja, që të raportojë për gjendjen e fundit në Universitetin e Prishtinës dhe për hapat të cilët janë ndërmarrë deri tani.

“Ne e dimë që ka pasur vazhdimisht probleme në arsimin e lartë por këto që tash janë më të theksuara, ne do të donim të dinim edhe një opinion tuajin, për hapat që janë ndërmarrë. Ligji e thotë mirë, si avancohen, shkarkohen, prandaj më së paku kishim pas dëshirë që të ketë implikime politika”, tha ai.

Anëtarët e Komisionit për Arsim, të cilët i bënë pyetje ministrit Buja për problemet e fundit që dolën në pah, kërkuan gjithashtu që të ndërmerren hapa më të shpejtë, në mënyrë që kjo situatë të zgjidhet. Ministri i Arsimit, Ramë Buja, sqaroi para Komisionit se tashmë

Senati i Universitetit të Prishtinës ka formuar komisionin shtatë anëtarësh për shqyrtimin e revistave në të cilat ka publikuar stafi akademik i Universitetit, si dhe rishikimin dhe plotësim-ndryshimin urgjent të akteve normative në fuqi – Statutit dhe Ligjit për Arsimin e Lartë. Ai tha se duhet t’i lihet kohë këtij komisioni deri sa të dalë me rezultatet e tij.

“Ne kemi caktuar një limit kohor në bashkëpunim me Këshillin Drejtues, që 45 ditshi është maksimumi që ne kërkojmë për të realizuar krejt këto që janë kërkuar nga Këshilli Drejtues dhe Senati, nga Komisioni që të vlerësoj këto punime që janë botuar gjithandej. Për aq sa ministrit ia lejon ligji, do të veprojë deri në kthjellje dhe realizim të asaj që kemi thënë për ta zbardhur situatën në Universitetin e Prishtinës”, tha ai.

Ministri i Arsimit, Buja shprehu gatishmërinë e tij për të dhënë ndihmë konform ligjit. Komisioni gjithashtu kërkoi që të ndërmerren hapa për të përshpejtuar amandamentimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe më pas të ketë ndryshime edhe në Statutin e Universitetit të Prishtinës.