Ramazzoti në Prishtinë më 9 gusht
Kompania që ka marrë përsipër organizimin e koncertit të këngëtarit italian, Eros Ramazzoti në Prishtinë, ka deklaruar se koncerti mund të mbahet në datën 9 gusht në stadiumin e kryeqytetit kosovar.
Zyrtarë të kompanisë ‘UBBOSS’ kanë konfirmuar diçka të tillë për median kosovare, ndërkohë që ende nuk është bërë zyrtarizimi nga vet këngëtari.
Menaxherja e kompanisë UBBOSS, Armelda Filipaj, ka thënë se gjithçka është rregulluar dhe është rënë dakord për datën e re.
Sipas saj, ministri Lutfi Haziri i ka dhënë garanci se do ta mbështesë këtë koncert, duke dhënë pagesën prej 15 mijë eurosh për qiranë e stadiumit të Prishtinës.
“Ministri na ka dhënë garanci dhe ne të hënën do të shkojmë në stadiumin e Prishtinës, që me menaxherin të nënshkruajmë një kontratë, ku do t’i marrim përsipër të gjitha dëmet që do të bëhen gjatë mbajtjes së koncertit”, – ka thënë Filipaj. Shtyrja e koncertit u bë pas kërkesave të drejtuesve të stadiumit për garanci pasurore për dëmet që mund të shkaktoheshin.