Rama: Vendimi për 21 janarin, i tmerrshëm, gjyqi do vazhdojë

Rama: Vendimi për 21 janarin, i tmerrshëm, gjyqi do vazhdojë

Rama: Vendimi për 21 janarin, i tmerrshëm, gjyqi do vazhdojë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama dha një intervistë për emisionin “Hard Talk” në BBC, pas takimit që zhvilloi në Londër me ish-kryeministrin Tony Blair.

Rama u pyet veçanërisht për çështjen e 21 janarit dhe qëndrimin që do të mbahet nga qeveria e re lidhur me këtë çështje ku u shpreh se vendimi për 21 janarin ishte i tmerrshëm dhe se gjykimi lidhur me këtë ngjarje të rëndë do të vazhdojë deri në një gjykim të drejtë.

Një tjetër çështje për të cilën u pyet kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë ishte çështja e korrupsionit, që siç u shpreh gazetarja e BBC, duket mjaft i përhapur në Shqipëri.

Lidhur me këtë çështje, Rama u shpreh se korrupsioni në vendin tonë është i lidhur me sistemin, por nuk është një mallkim nga zoti dhe nuk është i pashërueshëm. Ai garantoi përkushtimin e qeverisë së re për ta çrrënjosur nga institucionet e vendit, ndërsa për këtë dha edhe shembullin e drejtimit të bashkisë së Tiranës nga ana e tij për 11 vjet, ku sipas Ramës, lufta ndaj korrupsionit ishte parim.

Rama i cilësoi zgjedhjet e 23 qershorit si të mira duke u shprehur optimist se vitin tjetër Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

I pyetur lidhur me ftesën që u ka bërë të rinjve të talentuar për t’u bërë pjesë e skuadrës së re qeverisëse, Rama e cilësoi si një nismë të re dhe transparente.

“Pas zgjedhjeve shumë njerëz të rinj, të cilët janë të talentuar, kanë aplikuar për vende pune dhe deri në këto momente kemi rreth 10 mijë aplikantë. Pra, përgjigja që unë kam bërë në këtë ftesë ka qenë shumë e mirë. Këto zgjedhje ishin të mira dhe mendoj se vitin e ardhshëm ne mund ta marrin statusin kandidat”, tha Rama./tch/