Rama: Vendi në kolaps, zgjidhje Rilindja

Rama: Vendi në kolaps, zgjidhje Rilindja

Rama: Vendi në kolaps, zgjidhje Rilindja Kreu i opozitës, Edi Rama, mori shkas nga një sondazh i Partisë Socialiste, ku rezulton se mbi 72% e shqiptarëve vlerësojnë keq ose shumë keq gjendjen e papunësisë, të korrupsionit dhe kriminalitetit në vend.

Këtyre tre shqetësimeve madhore, zoti Rama thotë se Partia Socialiste u jep përgjigje me programin e saj të Rilindjes. Për analizën e FMN-së se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2012 është vetëm 0.5%, zoti Rama tha se opozita e kishte parashikuar një vit më parë: “Kjo do të thotë 200 milionë dollarë më pak, shumë më pak para’ në të ardhurat e çdo familjeje shqiptare. Lajmi i keq është se kemi shifra që verifikojnë kurbën e rrënimit, ndërsa lajmi i mirë është se edhe 6 muaj jemi nën këtë qeveri.

I pytur për sugjerimin e FMN-së se Shqipëria duhet të rrisë taksat dhe të mos rrisë më pagat dhe pensionet për të përballuar krizën, zoti Rama u përgjigj: “Nuk do bëjmë këtë gjë, por kush fiton më shumë do të paguajë më shumë taksa dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak taksa. Ai që nuk paguan taksa, do të gjejë belanë.”

Edi Rama tha se kryeministri Berisha ka dështuar me premtimin e programit qeverisës të vitit 2009, ku deklaroi hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës: “Me shifra zyrtare janë 51 mijë vende pune më pak se në vitin 2009. Nëse ky vend do të ishte normal, kryeministri duhet të fshihej i dorëhequr dhe jo të jepte konferenca shtypi për vende pune të padukshme që janë rritur me mijëra.”

Kreu i socialistëve beson se programi i Rilindjes ështeë ai i duhuri për të nxjerrë vendin nga kriza, duke patur si shtyllë kryesore atë që e quan rimodelim të sistemit në Shqipëri dhe që nis nga biznesi i vogël: “Në 100 ditët e para do të heqim taksën e biznesit të vogël duke lehtësuar 70 mijë familje të vetëpunësuara. Do të hapim shteg që të tjerët të vetëpunësohen me biznes të vogël. Gjithashtu do të bëjmë një politikë të re fiskale për të ulur kostot në bujqësi që të përfitojnë 312 mijë familjet që jetojnë në fshat.”

Zoti Rama u pyet edhe mbi akuzat e Partisë Demokratike, sipas të cilës ai ka dhënë leje ndërtimi për bashkëshorten e tij në konflikt interesi apo për mosdeklarimin e 100 milionë lekëve të dhënë hua prej saj pa interes: “Deklaratat janë të depozituara dhe aty gjendet e vërteta. Autorët e këtyre shpifjeve nuk meritojnë përgjigje, por vetëm përbuzje. Ndërsa opinioni publik meriton një shpjegim të plotë dhe do ta ketë. Se si, kur dhe ku nuk e vendosni ju.”