Meta-Rama

Rama dhe Meta takohen në Bruksel

Tetë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, dhe në kohën kur koalicionet zgjedhore janë ende të paqarta, kreu i PS-së dhe ai i LSI-së takohen me njëri tjetrin në Bruksel. Takimet mes dy liderëve të së majtës Rama-Meta tashmë po kthehen në një gjë të zakonshme për ta por edhe për realitetin politik në Shqipëri.

Në kushtet kur koalicioni PD-LSI ka shënuar disa përçarje në deklarata por edhe në votimet parlamentare, pavarësisht se kjo nuk është deklaruar nga palët. Takimi mes Ramës e Metës është zhvilluar në Bruksel, në kohën kur ata janë të ftuar në punimet e kongresit të Partisë Socialiste Europiane, ku pritet të zgjidhet presidenti dhe do të miratohen ndryshimet në statuset e partive pjesëmarrëse, raporton Ora News.

Dy krerët e partive të majta shqiptare Rama e Meta të pranishëm në këtë kongres do të vijojnë të qëndrojnë në Bruksel deri më datën 29 shtator, deri në përfundimin e punimeve të Kongresit. Megjithëse Rama e Meta janë takuar në një forum të majtë europian, duket se takimi mes tyre bëhet edhe në kushtet kur PD e LSI kanë disa çështje të rëndësishme politike të pazgjidhura për momentin, çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së apo edhe çështja e privatizmit të Albpetrolit.

Përveç këtyre problemeve duket se edhe deklaratat e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli se PD-ja mund t`i fitojë zgjedhjet edhe pa Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërsa sekretari për çështjet zgjedhore në LSI Ylli Manjani ka ftuar eksponentët brenda PD të mos nxitohen me deklarata paraelektorale dhe se LSI nuk është bateri e PD-së.

Takimi i parë mes Ramës e Metës , pas shumë vitesh është zhvilluar në Gjirin e Lalzit në një darkë sekrete në prag të zgjedhjes së presidentit. Dy ditë më pas Rama e Meta u takuan publikisht në hotel “Sheraton”, takimi i cili nuk dha rezultat për zgjedhjen e kreut të shtetit shqiptar.