Qeveria preferon modelin franko-gjerman për marrëdhëniet me Serbinë

Qeveria preferon modelin franko-gjerman për marrëdhëniet me Serbinë

Kur Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar, më 1945, shumë probleme të hapura kishin mbetur gjithandej kontinentit të vjetër. Dy zhvillime të rëndësishme politike mendohet se kanë mundësuar ecjen e vendeve të Evropës drejt unionit që sot ka 27 anëtarë.

Marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë, si dhe rregullimi i dy Gjermanive që tash ekzistojnë në një federatë të vetme, vlerësohen si procese politike, pa të cilat nuk do të ekzistonte BE-ja dhe as nuk do të ndalej lufta e ftohtë mes bllokut perëndimor dhe atij lindor.

Të dy proceset, ai i dy Gjermanive dhe ai i marrëdhënieve franko- gjermane, po përmenden si modele që mund të përdoren mes Kosovës dhe Serbisë, për t`u dhënë zgjidhje politike mosmarrëveshjeve pas konfliktit që e ka shpërbërë ish-Federatën e Jugosllavisë, shtetin e fuqishëm që qëndronte mes dy blloqeve të luftës së ftohtë. Modelin e dy Gjermanive për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë e ka përmendur ambasadori gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel.

Pa përjashtuar atë të dy Gjermanive, ambasadori i një shteti tjetër të fuqishëm në Kosovë, i Francës, Jean François Fitou, ka thënë në një intervistë javë më parë se modeli franko –gjerman do të mund të përdorej për pajtimin mes popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Propozimet e ambasadorëve po vijnë në kohën kur diplomacia evropiane po kërkon nga Kosova dhe Serbia të hyjnë në një proces të ngjeshur dialogu, ku do të zgjidhej çështja e veriut të Kosovës, dhe do të gjendej pajtimi për funksionimin e të dy shteteve pa penguar njëri-tjetrin, ndonëse pa u njohur zyrtarisht.

Qeveria e Kosovës, preferon modelin franko-gjerman më shumë se atë të dy Gjermanive.