Qeveria amerikane paralajmëron për rrezik financiar

Qeveria amerikane paralajmëron për rrezik financiar

Qeveria amerikane paralajmëron për rrezik financiarShtetet e Bashkuara arrijnë në mes të tetorit sërish kufirin maksimal të borxhit. Ministri i Financave Lew i bëri thirrje Kongresit për të vepruar, në mënyrë që vendi mos të ndodhet në prag të falimentimit.

Ministri amerikan i Financave, Jacob Lew, kërkoi në një letër drejtuar kryetarit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner, që pala kundërshtare të bjerë dakord për një rritje të kufirit maksimal të borxhit. Aktualisht, kufiri i sipërm i borxhit publik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është 16,7 bilionë dollarë (12.5 bilionë euro). Përndryshe nga mesi i tetorit qeveria nuk do të jetë më në gjendje për kryerjen e pagesave, sqaron Lew në letrën e tij. “Një skenar i tillë mund të trondisë tregjet financiare dhe të prekë ndjeshëm ekonominë tonë, transmeton DW.

Qeveria e presidentit Barack Obama kishte deklaruar fillimisht, se deri në muajin shtator duhet të arrihet një marrëveshje. Megjithatë rimëkëmbja ekonomike në SHBA ka çuar në rritjen e të ardhurave tatimore. Zyra e pavarur e buxhetit të Kongresit tani vlerëson se fondet e grumbulluara mund të mjaftojnë deri në muajin nëntor.

Obama flet për pasojat e bllokadës

Duke folur për mosmarrëveshjet rreth borxhit, Obama kishte paralajmëruar së fundmi republikanët për pasojat, që mund të ketë bllokada e tyre në politikën e tij shëndetësore. Ata e kanë kthyer sistemin shëndetësor në një “kupë të shenjtë”, e cila u ndalon miliona qytetarëve amerikan aksesin në kujdesin shëndetësor, ankohet Obama. Reforma e kujdesit shëndetësor, e miratuar në vitin 2010, është arritja më e madhe e politikës sociale të Presidentit. Zbatimi i saj po i afrohet fazës vendimtare: atëherë edhe ata qytetarë, që deri tani nuk ishin në gjendje ta përballonin në gjë të tillë, duhet të jenë në gjendje për t’u siguruar me kushte të favorshme.

Disa republikanë tashmë kanë kërcënuar se nuk do të japin pëlqimin e tyre për buxhetin, nëse ky projekt nuk do të ndërpritet. Ka vite që demokratët dhe republikanët zihen gjithmonë, kur bisedohet për kufirin e borxhit. Republikanët refuzojnë konceptin e Obamës për rimëkëmbjen e financave publike përmes shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjen e taksave për njerëzit, që fitojnë shumë në SHBA.