Putin po e armatos Rusinë pa pyetur fare për çmimin

Putin po e armatos Rusinë pa pyetur fare për çmimin

Putin po e armatos Rusinë pa pyetur fare për çmiminRaketa me rreze të gjatë veprimi, avionë luftarakë dhe tanke që i tejkalojnë teknikisht të gjitha modelet perëndimore: në mes të një krize ekonomike, kreu i Kremlinit nuk po i kursen aspak paratë për armatimin e modernizimin e ushtrisë që pak vite më parë dukej tërësisht e demoralizuar.

Raketa me rreze të gjatë veprimi, avionë luftarakë e tanke që i tejkalojnë teknikisht të gjitha modelet perëndimore: në mes të një krize ekonomike, Putin po hedh paratë për armatimin e modernizimin e ushtrisë me duart plot – le të kushtojë sa të dojë.

Qindra avionë të rinj dhe tanke ruse po dalin tashmë nga fabrikat e po gjëmojnë në qiejt e Europës. Dhjetëra mijëra ushtarë po marrin pjesë në manovra dhe duket se duan të demonstrojnë se ushtria është gati dhe e superarmatosur për një luftë të re.

Loja e forcës së muskujve është evidente, aq shumë saqë problemet e forta ekonomike që kanë kapluar vendin, as që kanë ndikuar fare në reduktimin e programit të modernizimit ushtarak të Kremlinit.

Në shumicën e fushave të ekonomisë ruse – përballë recesionit të këtij viti – po aplikohen shkurtime fondesh me 10 për qind. Përkundrazi, buxheti për ushtrinë është rritur me 33 për qind, i përllogaritur ndryshe me rreth 43 miliardë euro.

Kjo rritje reflekton në dukje gatishmërinë e Presidentit Vladimir Putin për të rritur angazhimin e tij në një përballje “shou” me Perëndimin mbi konfliktin në Ukrainë. Por nuk është e qartë këtu nëse vendi, arka e të cilit po boshatiset nga çmimet në rënie të naftës dhe sanksionet perëndimore, do t’ia dalë dot me këtë trend.

Ushtria me një milionë ushtarët e saj, nuk e ka përforcuar prezencën e saj strategjike vetëm në Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina. Moska po aktivizon përveç saj në Arktik edhe aerodromet e epokës sovjetike dhe po çel gjithashtu baza të reja ushtarake.

Në vjeshtën e shkuar ajo stacionoi përkohësisht sisteme raketore super-moderne në rajonin e Kaliningradit dhe e bëri këtë në një distancë shumë të afërt me Perëndimin. Dhe Kremlini po planifikon të dërgojë bombardues strategjikë me misione të rregullta patrullimi deri në Karaibe dhe në Gjirin e Meksikës.

Në Ukrainë, ushtria ruse po shfaq mobilitetin e saj

Perëndimi gjatë aneksimit të Krimesë para rreth një viti, e përftoi një shije paraprake të superfuqisë ushtarake të rilindur të Rusisë. SHBA-të dhe aleatët e tyre u habitën ndërsa luftanije e aeroplanmbajtëse ushtarake uleshin në gadishullin e Detit të Zi, dhe nisnin zbarkimin e njësive të tyre, të pajisura me armët më moderne të kohës, të cilat merrnin me shpejtësi kontrollin mbi pikat kyçe të rajonit.

Asgjë s’të kujtonin më trupat e demoralizuara që mund të pikaseshin në vitet e shkuara në radhët e ushtrisë ruse. Një surprizë të re, Perëndimi e përjetoi pak javë më pas, kur njësi të armatosura pushtuan godinat qeveritare dhe stacionet policore në shumë qytete të Ukrainës Lindore, në të cilat shumica e popullsisë janë rusofonë. Kjo bëri që të shpërthente rebelimi që tashmë është shndërruar në një luftë të mirëfilltë frontale – që ka sjellë më shumë se 5300 të vdekur qysh nga prilli i vitit të kaluar.

Në kuadër të përshkallëzimit të kohëve të fundit në konfliktin në Ukrainë, ushtria ruse demonstroi forcën e saj dhe mobilitetin fleksibël ndërsa stacionoi me shumë shpejtësi dhjetë mijë ushtarë në kufi me Ukrainën. Mijëra, sipas të dhënave perëndimore, u futën në brendësi të territorit ukrainas në mbështetje të rebelëve.

Ndryshe nga ç’ka ndodhur në të shkuarën, në të cilën ushtria mbahej nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, aspak i preferuar në radhët e popullsisë, trupat tashmë janë bërë më profesionale dhe më të motivuara.

Falë rrogave e shpërblimeve financiare relativisht të mira, po rritet edhe numri i ushtarëve profesionistë: ndërsa në vitin 2014 ata numëronin 295.000 vetë, në vitin në vijim pritet një rritje në 350.000 vetë.

Dhe në kontrast të thellë me vitet e shkuara, pas fundit të epokës sovjetike, kur avionët luftarakë gjendeshin në tokë e në bordet e luftanijeve pa lëvizur, për shkak të mungesës së karburantit, duke u ndryshkur porteve ruse, tanimë bëhen shumë teste e njësi ushtrimore – dhe ata po shtohen gjithnjë e më shumë.

260 miliardë euro për armët moderne

Kështu, trupat tokësore në manovrat në kufirin me Ukrainën janë mbajtur me pjesëmarrjen e dhjetëra-mijëra ushtarëve, ndërsa avionët luftarakë në afërsi të kufijve të NATO-s, kryejnë rregullisht misione patrullimi. Aleanca Veriatlantike sipas të dhënave të vitit që shkoi, ka regjistruar në më shumë se 400 raste avionë rusë të kapur prej radarëve të saj në apo pranë kufijve të saj, dhe është ankuar se këto manovra po dëmtojnë edhe fluturimet civile.

Në Krime, Rusia qysh para aneksimit kishte marrë me qira një bazë të madhe navale. E tashmë atje gjenden të stacionuar me dhjetëra avionë luftarakë, ndër ta edhe bombardues bërthamorë me rreze të gjatë veprimi, raketa të mbrojtjes kundërajrore, avionë spiunë dhe armë të tjera.

Një prioritet kyç është tashmë edhe Arktiku me rezervat e tij të naftës e të gazit, deri më tani të pashfrytëzuara. Atje janë vënë në funksionim tashmë dy baza që thuajse ishin braktisur qysh prej më shumë se dy dekadash.

Plani rus për modernizimin e armëve, parashikon një buxhet në vlerën e rreth 260 miliardë eurove, që ka nisur të aplikohet që nga viti 2011 e pritet të mbyllet në 2020. Qysh në vitin e shkuar ushtria posedonte numrin më të madh në avionë të rinj, raketa dhe tanke qysh nga rënia e ish-Bashkimit Sovjetik në 1991.

Deri më tani Kremlini nuk e ka sjellë fare në diskutim debatin nëse duhet apo jo të kursejmë, kur bëhet fjalë për ushtrinë. Këtë e bëri të qartë edhe një herë ministri i Mbrojtjes së Federatës Ruse, Sergej Shoigu, në një takim të fundit me oficerët madhorë, kur tha se: “Masat e ndërmarra nga Presidenti për të mos i lejuar askujt avantazh ushtarak ndaj Rusisë, do të përmbushet – pa e çarë shumë kokën, se çfarë mund të ndodhë”. A.P.

Marrë me shkurtime nga gazeta gjermane “Die Welt”.