PTK padit Ministrinë e Financave për mospagesën e borxheve

PTK padit Ministrinë e Financave për mospagesën e borxheve

Departamenti i Sigurimit të të Hyrave në kuadër të PTK-së ka propozuar fillimin e procedurës përmbarimore ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për mospagesën e borxhit në vlerën prej 73.995.05 euro- thuhet në një njoftim për media të PTK-së.

“Ky borxh i akumuluar gjatë dy viteve të fundit nga shërbimet dhe produktet e ofruara nga njësitë biznesore të PTK. Sh. a, ka detyruar këtë Departament të ndërmarrë këtë hap, pas shumë tentimeve për shlyerjen e obligimeve në përputhje me kontratat në emër të shërbimeve të kryera për distribuimin dhe shpërndarjen e dërgesave postare, përkatësisht faturave mbi tatimin në pronë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se Departamenti i Sigurimit të të Hyrave në koordinim me Departamentin Legal të PTK Sh.a “ka shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike dhe ligjore, respektivisht duke dërguar vërejtje para padisë me datën 14.06. 2010 për të kërkuar nga Ministria e Financave që t’i përmbushë obligimet kontraktuese në përputhje me kushtet e kontratave të lidhura me PTK Sh.a”.

Departamenti i Sigurimit të të Hyrave ka konstatuar se deri te masa e fundit e propozim-padisë dhe kërkesë-padisë ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, i kanë paraprirë edhe një sërë takimesh reciproke dhe thirrjeve për shlyrje të obligimeve.

Në njoftim pohohet se PTK në vazhdimësi është duke u përballur në rritjen e borxheve të këqija duke tërhequr vërejtjen se kjo kompani vazhdon të jetë e dëmtuar nga borxhet e pashlyera të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe njëkohësisht dëshmon se PTK ka qasje të barabartë në trajtimin e të gjithë konsumatorëve pa dallim.