PTK në duar të ushtruesve të detyrës
Ushtruesit e detyrës së menaxherëve me shumë gjasë do ta kenë fatin ta udhëheqin Postë Telekomin e Kosovës (PTK) deri në privatizimin e kësaj të fundit, që pritet të ndodhë këtë vit.
Pothuajse të gjithë menaxherët kryesorë të kompanisë më profitabile në vend janë ushtrues të detyrës.
Ushtrues detyre janë edhe anëtarët aktualë të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, të cilëve tashmë qeveria ua ka shpallur konkursin.
I pari i Postë Telekomit të Kosovës, Nuredin Krasniqi, është ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv. Para se të emërohej në këtë pozitë, Krasniqi ka qenë menaxher kryesor i financave në këtë kompani.
Pas kalimit të Krasniqit në pozitën e kryeshefi t ekzekutiv, në pozitën e ushtruesit të detyrës së menaxherit kryesor të financave është emëruar Arben Halili. Pozita e sekretarit të korporatës është plotësuar me ushtruesin e detyrës, Elvis Pistën, i cili më herët ka qenë menaxher për çështje legale, ndërsa ushtrues detyre i auditorit të brendshëm të kompanisë është caktuar Gëzim Pajaziti.
Edhe njësia më profitabile e PTK-së, “Vala” vazhdon të udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës
së drejtorit, Bedri Baraku. Njësia e telekomit udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Isa Smajlaj dhe njësia e Postës udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Rafet Jashari.
Jashari për disa vjet ka qenë në krye të Postës së Kosovës, mirëpo është shkarkuar nga kjo pozitë nga ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha. Pas përfundimit të mandatit të Haxhës, ushtruesi i detyrës së kryeshefi t të PTK-së, Nuredin Krasniqi, e ka rikthyer Jasharin në detyrën e u.d të drejtorit të Postës, në vend të Blerim Krasniqit.
Edhe për drejtuesit e Bordit të PTK-së, Qeveria e Kosovës, e cila është aksionar e kësaj kompanie publike, ditë më parë ka shpallur konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
Kreu aktual i Bordit të Drejtorëve, Rexhë Gjonbalaj, është nën hetime të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në lidhje me kontratën e PTK-së për operator mobil virtual ”Dardaphone.net”, pronë e kompanisë “Devolli Group”.
Për këtë kontratë nën hetime është edhe ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli dhe Ismet Bojku nga “Devolli Group”.
Zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, thotë për “Zërin” se si korporata më e madhe në vend, PTK nuk ka asnjë mangësi në udhëheqjen e saj për shkak se në proces e sipër është përzgjedhja e zyrtarëve më të lartë me anë të konkurseve publike.
“Procesi i përzgjedhjes se drejtorëve te njësive do të bëhet posa të përfundojë procesi i përzgjedhjes me konkurs publik i tri pozitave më të larta në kompani. I gjithë ky proces është transparent, i rregullt dhe konform ligjeve ne fuqi dhe çdo përpjekje për ta interpretuar ndryshe nuk përkon me realitetin faktik dhe ligjor”, shprehet Abazi.
Ushtruesit e detyrës së menaxherëve
Nuredin Krasniqi, u.d i kryeshefit ekzekutiv
Arben Halili, u.d i menaxherit kryesor të Financave
Bedri Baraku, u.d i drejtorit të Valës
Isa Smajlaj, u.d i drejtorit të Telekomit
Rafet Jashari, u.d i drejtorit të Postës
Elvis Pista, u.d i detyrës së sekretarit të korporatës
Gëzim Pajaziti, u.d auditorit të brendshëm të PTK
Ushtruesit e detyrës në bord
Rexhë Gjonbalaj, kryetar
Nuhi Ahmeti, anëtar
Elmaze Pireva, anëtare
Sahit Surbulli, anëtar
Qamil Buzhala, anëtar
Gani Sylaj, anëtar