“Provimi” për kreun e CEZ

“Provimi” për kreun e CEZ

“Provimi” për kreun e CEZEnti Rregullator i Energjisë mori në pyetje kandidatët për postin e administratorit shtetëror që do të menaxhojë kompaninë CEZ pas largimit të cekëve nga Shqipëria. Pas përfundimit të afatit të depozitimit të dosjeve të kandidatëve potencialë pranë entit, grupi i punës vlerësoi se pesë prej tyre plotësojnë kriteret e kërkuara.     

“Janë paraqitur gjashtë dosje, një kandidat është skualifikuar sepse ka konflikt me detyrën pasi punon në CEZ”, tha Eduart Elezi, drejtor Juridik i ERE-s.

Kandidatët paraqitën para bordit të komisionerëve strategjinë e tyre për të nxjerrë sistemin nga kriza duke ulur humbjet në rrjet dhe rritur nivelin e arkëtimeve.

Artan Topi, Inxhinier Elektrik: “Në postin e administratorit do të afroj punonjësit më të specializuar dhe do të synoj një organizim më të mirë të grupeve të punës në terren”.

Agron Seseri, Inxhinier Elektrik:”Qytetarëve do t’u vihet në dispozicion një numër emergjence pa kosto ku mund të njoftojnë grupet e punës për cdo avari sa i përket energjisë elektrike. Është e rëndësishme ngritja e drejtorive rajonale që do të monitorojnë degët e vecanta”.

Sahit Dollapi,inxhinier Miniere:”Në administrimin tim kompania do t’u shërbejë abonentëve që paguajnë dhe t’u ndërpritet energjia elektrike atyre që nuk paguajnë. Sa i përket menaxhimit brenda kompanisë, do të rishikoj nivelin e pagave që për administratorët është shumë herë më e lartë se për punonjësit”.

Rezart Isuli,inxhinier Elektik:”Do të përmirësoj nivelin e arkëtimeve  përmes ndërprerjeve të energjisë për debitorët por nuk do të ketë ndërprerje kolektive”.

Genc Gjergjani, Inxhinier Elektrik:”Gjatë kësaj kohë nuk janë bërë invesim dhe nuk ka strategji në menaxhimin e rrjetit. Do të riorganizoj stafin”.

Emri i kandidatit fitues do të publikohet pasi ERE të vendosë heqjen e licences për shpërndarjen e energjisë ndaj kompanisë CEZ shpërndarje, vendim ky që pritet të merret në mbledhje e datës 21 janar. Administratori shtetëror do të menaxhojë CEZ deri në momentin, kur Qeveria shqiptare të zgjidhë konfliktin me kompaninë ceke dhe të merret një vendim i dytë lidhur me Sistemin e Shpërndarjes. Ndër të tjera ai ka për detyrë të hartojë planet për përmirësimin e situatës financiare dhe shlyerjes së detyrimeve të kompanisë ndaj palëve të treta të cilat duhet të miratohen nga enti.