Protestuesit bllokojnë Kishën Ortodokse në Gjakovë

Protestuesit bllokojnë Kishën Ortodokse në Gjakovë

Protestuesit bllokojnë Kishën Ortodokse në GjakovëAktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me organizatën “Thirrjet e nënave” dhe qytetarë të tjerë të Gjakovës kanë protestuar sot kundër ardhjes se zyrtarëve serbë me rastin e festës se Krishtlindjeve, duke bllokuar Kishën Ortodokse në Gjakovë.

Zyrtari për informim në Lëvizjen Vetëvendosje, Adonis Tahiri, ka thënë se gjatë protestës ka ndërhyrë Policia e Kosovës duke arrestuar disa aktivistë. Sipas tij, të arrestuarit po mbahen në makinat e policisë.

“Policia i ka larguar rreth 20 metra protestuesit nga hyrja në oborrin e Kishës për t’ia mundësuar autobusit që ka ardhur nga Beogradi të hyjë në oborrin e Kishës. Protestuesit mbajnë në duar pankarta me emrat e kriminelëve serbë të luftës nga Komuna e Gjakovës, disa prej të cilëve gjinden tani brenda kishës”, ka thënë ai pë ORAinfo.

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjakovë, kanë përkrahur sot iniciativën e qytetarëve të Gjakovës dhe shoqatës “Thirrjet e Nënave” për protestë, kundër vizitës së kriminelëve serbë dhe delegacioneve të shtetit të Serbisë në Kishën Ortodokse, siç i kanë quajtur ata.

“Në Gjakovë, sikurse në të gjithë Kosovën, janë kryer krime të mëdha nga shteti i Serbisë në kuadër të planeve të tij për spastrim etnik të vendit tonë. Mbi 60 persona nga Gjakova janë ende të pagjetur; 1200 civilë nga Gjakova janë vrarë gjatë luftës së fundit; rreth 1000 gra gjakovare janë dhunuar; 6500 shtëpi dhe 715 lokale afariste dhe objekte të trashëgimisë kulturore në Gjakovë u shkatërruan.

Shteti i Serbisë dhe kriminelët që morën pjesë në këto krime asnjëherë nuk janë dënuar. Duke i lejuar që të bëjnë vizita provokuese, këta kriminelë po rehabilitohen nga vetë Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizje.