Protesta në Tiranë "Të gjithë jemi UÇPMB"

Protesta në Tiranë “Të gjithë jemi UÇPMB”

Protesta në Tiranë "Të gjithë jemi UÇPMB"Klubi i Patriotëve të Rinj zhvilloi sot një protestë paqësore para ambasadës serbe në Tiranë kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Luginën e Preshevës.

Protestuesit me pankartat në duar ku ndër të tjera shkruhej: “Të gjithë jemi UÇPMB”, “Lugina nuk është vetëm” “Një komb, një qëndrim” i kërkuan ambasadorit serb në Tiranë të jepte arsyen e heqjes së lapidarit të UÇPMB-së.

Mes brohoritjeve “Presheva është Shqipëri” apo “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri” Klubi i Patriotëve të Rinj i kërkoi Qeverisë shqiptare që të dëbonin ambasadorin serb në Tiranë për padrejtësinë që iu bë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Klubit të Patriotëve të Rinj, Ardit Bido në një prenoncim për mediat u shpreh se heqja e lapidarit të UÇPMB-së ëshët një padrejtësi që i bëhet jo vetëm shqiptarëve të Luginës së Preshevës por një të gjithë shqiptarëve të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Shqipërisë dhe atyre të Çamërisë.

“Ne sot po zhvillojmë një protestë paqësore përpara ambasadës së Republikës së Serbisë për një padrejtësi që i është bërë jo vetëm Luginës së Preshevës, jo vetëm shqiptarëve të Preshevës por shqiptarëve të Malit të Zi, shqiptarëve të Maqedonisë, shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Çamërisë sepse lapidari i hequr në Preshevë është lapidari i të rënëve të kombit shqiptar.” u shpreh Bido.

Ai theksoi më tej se Klubi i Patriotëve të Rinj dhe të gjithë shqiptarët ndjehen të fyer për dhunimin që iu bë martirëve të kombit tonë dhe se ambasada serbe në Tiranë duhet të jap arsyetim për heqjen e lapidarit.

“Ne sot kërkojmë që ambasada e Republikës së Serbisë të japi asyetimin e këtij veprimi të paprecedent, të kësaj burracakërie që iu është kundërvënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë në trojet e tyre kombëtare”, theksoi Bido.

Më tej ai tha se Klubi i Patriotëve të Rinj në këtë protestë kërkon dëbimin e ambasadorit serb në Tiranë dhe se i qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet të ndërmarrin hapat e nevojshme për t’iu kundërvënë dhunimit që i bëhet popullit shqiptar. (INA)