|

Prokurorja e Përgjithshme zbatoni ligjin antimafia

Prokurorja e Përgjithshme, znj. Ina Rama, në vijim të pjesëmarrjes në analizat vjetore të Prokurorive në rrethe, është ndalur në analizën e punës së Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.


Ajo e ka shfrytëzuar këtë rast për t’u njohur me rezultatet e arritura në vitin që shkoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, si dhe për të vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë mes Prokurorisë së krimeve të Rënda dhe Policisë në luftën drejt trafikut dhe qenieve njerëzore.

Gjithashtu, Ina Rama ka bërë prezente në analizë bashkëpunimin ndërkombëtar . Një nga kërkesat e kryeprokurores drejtuar prokurorëve të pranishëm të Krimeve të Rënda ishte fokusimi i punës në drejtim të hetimit pasuror, në zbatim të ligjit të ri Antimafia.

Po ashtu, prokurorja e Përgjithshme ka tërhequr vëmendjen për rritjen e efikasitetit të metodave speciale të hetimit. Gjatë vitit 2009 në Prokurorinë për Krime të Rënda u hetuan 220 procedime, nga të cilat 104 të mbartura nga vitet e mëparshme dhe 119 të regjistruara rishtazi gjatë vitit që kaloi.

Kanë marrë zgjidhje përfundimtare 139 procedime, po aq sa edhe një vit më parë, ndërkohë që u mbartën për vitin 2010, 81 procedime. Në gjyq u dërguan 46 për qind të procedimeve të zgjidhura. Gjatë 2009-ës u transferuan për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore 26 procedime.

Ndër grupveprat penale të hetuara ashtu si vitet e kaluara, pjesën dërrmuese e përbëjnë krimet e trafikimit të lëndëve narkotike, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, trafikimi i qenieve njerëzore, veprat e ndryshme penale të kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara, vrasjet e kryera ndaj personave me cilësi të veçanta, dhe vepra të tjera në numër më të vogël.

Gjatë vitit 2009 u vunë nën hetim 268 persona dhe përfundoi gjykimi në shkallë të parë për 81 çështje. Vihet re tendenca e të akuzuarve që të zgjedhin gjykimin e shkurtuar, fakt që besojmë se nuk lidhet vetëm me taktikën për të përfituar zbritje dënimi, por edhe me faktin e plotësisë dhe cilësisë së hetimeve të kryera, që lejojnë zgjidhjen e çështjes në gjendjen e akteve të prokurorit.

Etiketa: , ,

Komentoni